Partia Demokratike e Kosovës e ka vazhduar edhe sot aksionin para Qeverisë së Kosovës, duke kundërshtuar mungesën e institucioneve funksionale në vend.
Të lidhura
None found
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka deklaruar se arsyeja e kësaj proteste mbetet e pandryshuar.
“Edhe sot para Qeverisë. Sërish për të njëjtën arsye: Kosova vazhdon të mbahet pa institucione funksionale”, ka shkruar Deliu.
Deputetja ka rikthyer në vëmendje edhe çështjen e 50 milionë eurove për riparimin e vagonëve të Trainkos-it në Serbi, duke pretenduar se kjo çështje ka funksionuar edhe gjatë periudhës së bllokadës institucionale.
Sipas saj, kërkesat e punonjësve për transparencë janë ndjekur me masa nga pushteti.
“Dhe kur një punonjës kërkon transparencë e qytetarët ta dinë këtë, përgjigjja e pushtetit janë masat ndaj tij”, ka deklaruar ajo.
Në përmbyllje, Deliu e ka kritikuar Qeverinë, duke thënë se “ata që erdhën me flamurin e patriotizmit, sot e ndëshkojnë transparencën dhe i dërgojnë milionat në Serbi”.
“Kjo është fotografia e pushtetit sot”, ka përfunduar deputetja e PDK-së.
