Roli i tij në lëvizjet ilegale shqiptare dhe raportet me veprimtarët e asaj kohe u trajtuan nga Pal Shtufi në një intervistë për ciklin “Dosjet” të emisionit “Debat Plus”.
Të lidhura
None found
Shtufi rrëfeu se angazhimi i tij i parë në këtë lëvizje kishte nisur në vitin 1979. Një vit më vonë, në Stuttgart, ai u takua me veprimtarin Riza Salihu, nga i cili mori udhëzimet e para për organizimin e një grupi ilegal në Kosovë.
Gjatë asaj periudhe, sipas tij, ai kishte siguruar edhe materiale propagandistike, mes tyre “Zërin e Kosovës”, si dhe mjete që përdoreshin për shkrimin e parullave.
Në rrëfimin e tij, Shtufi foli edhe për takimin me Jusuf Gërvallën, të cilin e kishte njohur në Panairin e Librit në Frankfurt.
Ai tha se Gërvalla i kishte bërë përshtypje për kulturën e gjerë dhe aftësinë për të komunikuar në disa gjuhë.
“Jusufi ka qenë dallim për të mirë. Ka qenë më i prejshëm, më i ditur. Gjermanishten rrjedhshëm, anglishten rrjedhshëm, serbishten rrjedhshëm”, tha Shtufi.
Pas këtij takimi, Shtufi tregoi se Riza Salihu kishte reaguar ashpër ndaj tij, duke e cilësuar Gërvallën si “titist” dhe “të shitur”.
Sipas Shtufit, Salihu kishte pasur një përplasje me Gërvallën. Ai përmendi si një prej shkaqeve të konfliktit falsifikimin e çelësit të postfahut të Gërvallës nga Salihu, i cili për një periudhë kishte marrë korrespondencën që i drejtohej veprimtarit.
“Njëra prej mëkateve të Jusufit, thotë ky Riza Saliu, ka qenë kontakti i tij me Emil Kastriotin, Emil Fazliun. Ai ka qenë ballist, në Bruksel. Këto i ka konsideruar Rizahu tradhti”, deklaroi Shtufi.
Ai shpjegoi se, në këndvështrimin e Salihut, lidhjet e Gërvallës me persona që përfaqësonin orientime të tjera politike përbënin tradhti, një qëndrim që Shtufi e lidhi me mendësinë enveriste të asaj kohe.
Për çështjen e falsifikimit të çelësit dhe marrjes së dokumentacionit të Gërvallës, Salihu, sipas Shtufit, ishte dënuar me një vit burg.
Me kalimin e kohës, Shtufi tha se kishte nisur të rishqyrtonte mënyrën se si Riza Salihu kishte përshkruar edhe anëtarë të tjerë të lëvizjes ilegale.
“Rizahu ka ndërtuar biografinë e tjetrit në mënyrë shumë të padrejtë, jo vetëm të Jusufit, për këdo tjetër”, u shpreh ai.
Gjatë intervistës u diskutuan edhe dyshimet për një lidhje të mundshme të Jusuf Gërvallës me UDB-në. Shtufi pranoi se informacionin për këto dyshime e kishte marrë nga Riza Salihu.
“Unë e di prej Riza Salihut. Domethënë, unë kam pasur informatë që ai është i dyshuar, domethënë edhe në Shqipëri. Këto gjëra i kam pasur prej tij, se unë s’kam pasur burim tjetër hiç”, tha Shtufi.
Megjithatë, ai shtoi se përvoja dhe informacionet e mbledhura ndër vite e kanë bërë që ta shohë me më shumë dyshim këtë pretendim.
“Shumë më shumë po e besoj këtë që po e thua ti. Edhe Rizahu ka ndërtuar biografinë e tjetrit në mënyrë shumë të padrejtë”, tha Shtufi.
Ai theksoi se, pavarësisht kritikave ndaj mënyrës së veprimit të Salihut, nuk është i bindur se ky i fundit ka qenë në shërbim të UDB-së.
“Unë s’e kam atë bindje ende se Rizahu ka qenë në shërbim të UDB-së, për shembull. Nuk e kam”, deklaroi ai.
Shtufi nënvizoi gjithashtu se nuk synon të përvetësojë apo të përfaqësojë versionet e personave të tjerë për historinë e asaj periudhe.
“Unë nuk bëhem as Riza, as Ibrahim Kelmendi. Respekt kam për secilin çfarë kanë bërë në jetë, por unë jam vetvetja”, deklaroi Shtufi.
