Osmani: Serbët e Kosovës po lejojnë që të mbahen peng nga presidenti i Serbisë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani akuzoi të martën presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç për siç tha trysni ndaj serbëve të Kosovës për të mos marrë pjesë në votimet për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë t’i mbrojmë të drejtat e qytetarëve tanë pa dallim, jemi të përkushtuar që serbët që jetojnë në Kosovë të shfrytëzojnë të drejtat që atyre u jep Kushtetuta, por për fat të keq disa prej tyre po lejojnë që të mbahen peng nga ana e (Aleksandar) Vuçiçit”, tha presidentja Vjosa Osmani duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të kundërshtojnë këtë trysni të presidentit serb,

“Po ashtu ta ndëshkojnë (Aleksandar) Vuçiçin i cili nuk e ka mbajtur fjalën që e ka dhënë para tyre që nuk do të ndërhyjë në kundërshtim me normat ndërkombëtare dhe normat e së drejtës sepse është shtet tjetër dhe nuk ka të drejtë të ndërhyj në procese zgjedhore në Kosovë”, tha presidentja Osmani.

Lista Serbe subjekti kryesor i serbëve të Kosovës, vendosi të mos marrë pjesë në votimet e caktuara për datën 21 prill ndërsa akuzoi kryeministrin Albin Kurti për siç thanë përpjekje të vazhdueshme që ky votim të dështojë.

Vendimi nxiti reagimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që i kërkuan kësaj partie ta rishqyrtojë vendimin ndërsa qeverisë së Kosovës të trajtojë me ndjeshmëri shqetësimet e ngritura nga qytetarët në veri të vendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkoi të martën Listës Serbe që të zëvendësojë anëtarët e saj të dorëhequr nga komisionet komunale që duhet të organizojnë votimet për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Aktualisht Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviçi dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Dështimi i mundshëm i referendumit për shkarkimin e kryetarëve që kërkon 50 për qind plus një të votuesve, do të çonte në një zvarritje të procesit, meqë një i tillë nuk mund të organizohet përpara se të kenë kaluar 12 muaj.


Shtuar 9.04.2024 22:16