Endrit Nika është deklaruar përsëri i pafajshëm në seancën e rigjykimit për vrasjen e të dashurës së tij, shtetases argjentinase, ngjarje e ndodhur në Fushë-Kosovë gjatë vitit 2023.
Të lidhura
None found
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Armend Hamiti, Nika dha një përgjigje të shkurtër: “I pafajshëm”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Seanca vijoi me paraqitjen e fjalëve hyrëse nga palët në procedurë.
Trupi gjykues që po shqyrton rastin përbëhet nga Gazmend Bahtiri, në cilësinë e kryetarit, si dhe nga anëtarët Alltën Murseli dhe Gëzim Ademi.
Aktakuza, e ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e ngarkon Endrit Nikën se më 1 gusht 2023, në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një konflikti të mëparshëm me të dashurën e tij, tashmë të ndjerën M.K-U., e kishte goditur vazhdimisht dhe ishte përpjekur ta përplaste me veturë në parkingun jashtë hotelit.
Sipas aktakuzës, pasi të dy hynë në hotel dhe në dhomën ku po qëndronin, i pandehuri, me qëllim privimin nga jeta të M.K-U., e vazhdoi përleshjen dhe goditjet ndaj saj. Ai dyshohet se e kishte shtyrë të ndjerën drejt një qosheje të dhomës, ku ajo nuk kishte mundësi të largohej, dhe, si pasojë e goditjeve e shtyrjeve, kishte nxjerrë kornizën e dritares, duke e hedhur atë nga kati i gjashtë i hotelit.
M.K-U. ndërroi jetë në QKUK për shkak të lëndimeve të marra, pavarësisht trajtimit mjekësor.
Nika akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”, e përcaktuar në nenin 173, paragrafin 1, pikën 1.3 të Kodit Penal.
