Gjatë intervalit 16 prill – 6 korrik 2026, në Kosovë janë konfirmuar 52 raste me fruth, ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK). Sipas njoftimit, vetëm në javën e fundit janë evidentuar edhe pesë raste të reja.
Të lidhura
None found
Të dhënat e IKShPK-së tregojnë se Prishtina kryeson për numrin e rasteve me 17 të tilla. Më pas renditet Ferizaj me 12 raste, Kaçaniku me 6 dhe Fushë-Kosova me 5. Nga dy raste janë raportuar në Lipjan, Vushtrri, Shtime dhe Obiliq, ndërsa nga një rast është regjistruar në Gjilan, Drenas, Deçan dhe Viti.
Instituti u ka bërë apel qytetarëve që secili person që shfaq simptoma të dyshimta, si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të kërkojë pa vonesë ndihmë mjekësore në institucionin shëndetësor më të afërt.
“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare. Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa-vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik”, thotë IKShPK.
