Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po zhvillohet procesi gjyqësor kundër Dragotin Naskoviqit, ish-komandantit të nënstacionit policor në Zhegër të Gjilanit, i cili përballet me akuza për krime lufte ndaj civilëve.
Të lidhura
None found
Në hapje të seancës, i pandehuri u shpreh i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura kundër tij.
Nga ana e tij, Prokurori Special Armend Zenelaj deklaroi gjatë fjalës hyrëse se procesi do të provojë vërtetësinë e pretendimeve ndaj Naskoviqit.
Sipas tij, me urdhër të Naskoviqit, forcat serbe kanë ekzekutuar civilë në fshatin Zhegër.
“Do të dëshmohet se forcat serbe, nën komandën e të akuzuarit, më 30 mars 1999 kryen vrasjen e civilëve shqiptarë në Zhegër. Ndërsa më 30 prill 1999 u morën jetën anëtarëve të familjeve Shabani dhe Hyseni,” theksoi ai.
Naskoviq u vu në pranga në shtator të vitit 2024 në vendkalimin kufitar te Dheu i Bardhë (Bela Zemlja), ndërsa aktakuza zyrtare u ngrit në nëntor të vitit 2025. Procesi gjyqësor ndaj tij nisi në dhjetor të po atij viti në Gjykatën Themelore në Prishtinë.






