Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, njoftoi se të mërkurën, gjatë seancës plenare të Kuvendit, ishte cenuar fizikisht nga një pjesëtar i policisë. Për këtë rast, ajo tha se bashkë me sekretaren e përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitaku, e ka denoncuar policin në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).
Të lidhura
None found
Musliu bëri të ditur se nga IPK-ja kanë kërkuar hetimin e veprimeve të zyrtarit policor. Ajo theksoi se, si anëtare e Komisionit Parlamentar për Siguri, për 15 vjet radhazi ka punuar me përkushtim që Policia e Kosovës të jetë profesionale, e depolitizuar dhe me integritet, ndaj nuk mund të qëndrojë në heshtje përballë një rasti të tillë.
Sipas saj, reagimi nuk synon vetëm mbrojtjen personale, por para së gjithash ruajtjen e institucionit të Policisë së Kosovës dhe integritetit të tij. Musliu deklaroi se duhet parandaluar çdo mundësi që Policia të vihet nën urdhrat apo ndikimin e cilësdo parti politike.
Përveç përgjegjësisë së policit, deputetja kërkoi të mësohet se kush e thirri Policinë e Kosovës në sallën ku zhvillohen seancat plenare dhe kush e autorizoi praninë dhe ndërhyrjen e saj aty. Ajo vlerësoi se ky informacion duhet t’u bëhet i njohur si Kuvendit, ashtu edhe opinionit publik.
Musliu tha se, gjatë një seance konstituive në të cilën Kuvendi ende nuk është konstituuar, rregullat procedurale përcaktojnë se Policia mund të ftohet në sallë, nëse lind nevoja, vetëm nga mandatari për drejtimin e seancës. Për këtë arsye, ajo kërkoi sqarim publik nëse, në rastin konkret, ftesa ishte bërë nga Avni Dehari.
Ajo shtroi pyetjet se kush e dha urdhrin, kush e ftoi Policinë dhe mbi cilën bazë u ndërhy në sallën e Kuvendit. Sipas Musliut, këto nuk janë çështje personale, por pyetje që lidhen me përgjegjësinë institucionale.
Deputetja theksoi se, kur Policia futet në sallën e Kuvendit dhe një deputet cenohet fizikisht, hetimi nuk duhet të kufizohet vetëm te polici që e ka kryer veprimin. Sipas saj, duhet të shqyrtohet edhe i gjithë zinxhiri i urdhrit dhe i përgjegjësisë që çoi Policinë në atë vend.
Musliu përsëriti se për 15 vjet ka punuar që Policia e Kosovës të mbetet profesionale, e pavarur dhe me integritet, prandaj nuk do të heshtë në një moment kur këto parime, sipas saj, kanë më shumë nevojë se kurrë të mbrohen. Ajo tha se Policia duhet t’i shërbejë ligjit dhe Republikës së Kosovës, jo urdhrave politikë, ndërsa u bëri thirrje të gjithë policëve dhe shërbyesve civilë në vend që t’u qëndrojnë besnikë ligjit, Kushtetutës dhe detyrës profesionale, pa iu nënshtruar asnjë diktati, presioni apo urdhri politik që dëmton pavarësinë dhe integritetin e institucioneve shtetërore.
