Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) njofton se gjatë vitit 2026 ka avancuar masat për kontrollin e tregut dhe garantimin e të drejtave të konsumatorëve.
Të lidhura
None found
Në gjysmën e parë të vitit 2026, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka kryer më shumë se 3,000 inspektime në sektorë të ndryshëm. Kontrollet kanë përfshirë tregun e derivateve të naftës, sigurinë e përgjithshme të produkteve, mbikëqyrjen e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Ndërkaq, mbi 250 inspektime të tjera janë zhvilluar për të verifikuar nëse operatorët ekonomikë përmbushin kushtet minimale teknike.
Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nga shkeljet e konstatuara gjatë këtyre kontrolleve janë vendosur gjoba në vlerë të përafërt prej 600 mijë eurosh.
Masat ndëshkuese lidhen me dallimet mes çmimeve në raft dhe në arkë, shitjen e produkteve pa deklaracion, zhvillimin e veprimtarisë pa regjistrim në ARBK, përdorimin e mjeteve matëse me afat vlefshmërie të skaduar, mosrespektimin e afateve të përcaktuara në procesverbalet e inspektimit, tregtimin e produkteve të skaduara dhe vendosjen në treg të produkteve që nuk përputhen me legjislacionin në fuqi.
Për të rritur transparencën dhe për t’u ofruar qytetarëve shërbime më të shpejta, MINTI ka vënë në dispozicion edhe një platformë në Viber për paraqitjen e ankesave të konsumatorëve, në numrin +383 (46) 311-000.
Në kuadër të koordinimit ndërinstitucional, është funksionalizuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorëve.
Deri në korrik janë mbajtur katër takime me përfaqësues të institucioneve relevante, ku janë shqyrtuar çështjet kryesore dhe problemet që hasin konsumatorët në vend.
