Qeveria po angazhohet me të gjitha kapacitetet që ka në dispozicion për t’u dalë në ndihmë transportuesve, deklaroi sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski. Sipas tij, një nga hapat që po ndërmerren është lidhja e marrëveshjeve dypalëshe me shtetet anëtare të zonës Shengen.
Të lidhura
None found
Duke folur në Strugë pas një vizite dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për protestat e paralajmëruara nga transportuesit maqedonas, Nikolloski tha se ekziston mirëkuptim i plotë për kërkesat e tyre. Ai sqaroi se çështja lidhet me rregullat që zbatohen dhe përcaktohen në zonën Shengen, ndërsa mundësia e Qeverisë është arritja e marrëveshjeve të veçanta me vendet e kësaj zone.
“Kemi mirëkuptim të plotë për transportuesit dhe po përpiqemi, brenda mundësive tona, të ndihmojmë dhe të gjejmë zgjidhje. Bëhet fjalë për rregulla në zonën Shengen dhe për rregulla që rregullohen nga zona Shengen. Ajo që mund të bëjmë ne është të nënshkruajmë marrëveshje dypalëshe me vendet anëtare të zonës Shengen. Këtë tashmë po e bëjmë dhe kemi arritur marrëveshje me disa vende, ndërsa në periudhën e ardhshme do të punojmë intensivisht për marrëveshje me vende të tjera. Në shtator është paralajmëruar një takim i nivelit të lartë me qeverinë austriake, ndërsa në tetor është paralajmëruar takim edhe me atë sllovene”, tha Nikolloski.
Ai vuri në dukje se negociatat përfshijnë edhe Gjermaninë, me synim mbulimin e akseve ku transportuesit nga Maqedonia e Veriut lëvizin më shpesh. Nikolloski tha se marrëveshje tashmë janë siguruar me Zvicrën, Kroacinë dhe Rumaninë.
“Ne nuk ndalemi dhe vazhdojmë të punojmë për marrëveshje dypalëshe me të gjitha vendet që janë të gatshme për një bashkëpunim të tillë. Synojmë të mbulojmë në përgjithësi rrugët në të cilat transportuesit maqedonas qarkullojnë më së shumti. Me Zvicrën, Kroacinë dhe Rumaninë tashmë kemi marrëveshje. Po punojmë edhe me Gjermaninë dhe në këtë mënyrë po mbulojmë vendet ku ka frekuencën më të madhe. Kjo është ajo që mund të bëjmë dhe që po e bëjmë në këtë periudhë”, theksoi Nikolloski.
