Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski.
Të lidhura
None found
Biseda u përqendrua te gjendja e përgjithshme e sigurisë, zhvillimet e fundit dhe nevoja për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.
Gjatë takimit, Maqedonci dhe Kraevski nënvizuan marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Bullgarisë, duke theksuar rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit bilateral në sektorët me interes të përbashkët.
Në njoftim thuhet se Bullgaria, si anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, konsiderohet partnere e rëndësishme për Kosovën. Pjesëmarrja e saj ndër vite në KFOR, përmes së cilës ka kontribuar në paqen dhe sigurinë në Kosovë, u cilësua si shprehje e angazhimit të vazhdueshëm bullgar për stabilitetin dhe sigurinë në vend e në rajon. Gjithashtu, u vlerësua edhe përkrahja e Bullgarisë për Kosovën në rrugën e integrimit në strukturat euroatlantike.
Në fund të takimit, të dyja palët konfirmuan gatishmërinë për të vazhduar angazhimin e përbashkët dhe për ta thelluar më tej bashkëpunimin Kosovë-Bullgari në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, në përputhje me objektivat e tyre të përbashkëta.
