Zbulimi i armëve, municioneve dhe uniformave ushtarake në disa fshatra pranë Kalludrës së Zubin Potokut ka hapur pista të reja hetimi për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Të lidhura
None found
Në të njëjtën hapësirë, gjatë javëve të fundit janë gjetur tri varreza masive, ku deri tani janë identifikuar mbetje kockore të së paku 23 personave.
Autoritetet po verifikojnë nëse armatimi i zbuluar mund të lidhet me vrasjen e këtyre personave. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vlerësuar se zbardhja e plotë e rastit është me rëndësi të veçantë.
“Zbulimi i varrezave masive e ka bërë edhe një herë të dukshëm përmasën e krimeve të luftës në Kosovë. Veriu i vendit nuk ishte vetëm vendi ku u kryen krime të rënda ndaj civilëve, por edhe hapësirë ku u fshehën trupat dhe gjurmët e këtyre krimeve”, ka deklaruar Sveçla në një konferencë për media në Mitrovicë.

Ish-hetuesi Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot”, e ka cilësuar zbulimin e arsenalit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake në Kalludër si një zhvillim me peshë për kërkimin e së vërtetës rreth personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Rexhepi ka theksuar se rasti nuk duhet të shihet thjesht si posedim i paligjshëm i armëve, pasi ato janë gjetur në një zonë ku po hetohen edhe varreza të dyshuara masive dhe mbetje mortore të të paktën 23 personave.
“Ky nuk është një rast i zakonshëm i armëmbajtjes pa leje. Arsenali është zbuluar pikërisht në një hapësirë ku janë gjetur varreza të dyshuara masive dhe mbetje të së paku 23 personave. Kjo çështje lidhet me fatin e njerëzve të zhdukur, me familjet që kanë pritur më shumë se dy dekada dhe me përgjegjësinë për krimet më të rënda të kryera në Kosovë”, ka thënë ai.
Sipas Rexhepit, fakti që janë kontrolluar 48 lokacione dhe se armët janë gjetur në 12 prej tyre e rrit rëndësinë e operacionit. Ai ka nënvizuar se bëhet fjalë për një sasi të madhe armësh, municionesh, mjetesh shpërthyese, uniformash dhe pajisjesh ushtarake, e jo për një armë të vetme apo një ngjarje të izoluar.
Ai ka shtuar se Policia ka njoftuar se të gjitha materialet do t’i nënshtrohen ekzaminimeve për të përcaktuar origjinën, mënyrën e përdorimit dhe lidhjet e mundshme me raste të ndryshme kriminale.
Rexhepi ka bërë thirrje për kujdes në vlerësimin e provave, duke theksuar se çdo dyshim duhet të mbështetet në ekspertizë forenzike. Sipas tij, analizat balistike, ADN-ja, dokumentet, dëshmitë dhe çdo element tjetër duhet të shqyrtohen me standardet më të larta profesionale dhe gjyqësore.
Ai ka shpjeguar se, nëse ekspertët konfirmojnë se ndonjëra prej armëve është përdorur në vrasjen e 23 personave të zhdukur më 19 prill 1999, rasti mund të shënojë një moment historik për drejtësinë në Kosovë. Një përfundim i tillë do të krijonte një lidhje konkrete mes armës, krimit, viktimave, vendit ku janë fshehur trupat dhe autorëve të mundshëm.
Po ashtu, ish-hetuesi ka rikujtuar se informacionet për një varr të mundshëm masiv në Kalludër kanë qarkulluar prej vitesh.
“Fondi për të Drejtën Humanitare ka dokumentuar se të dhënat për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë dhe varrosjen e tyre në Kalludër ishin bërë publike shumë kohë më parë. Për këtë ngjarje, një dëshmitar kishte dhënë deklaratë para hetuesve të UNMIK-ut dhe Policisë së Kosovës që në vitin 2003”, ka deklaruar Rexhepi.
Ai ka ngritur pyetjen se sa gjatë duhet të presë një familje për të mësuar vendin ku është vrarë dhe varrosur i afërmi i saj, duke vlerësuar se gjetja e mbetjeve dhe arsenalit mund të krijojë një mundësi të re për t’i dhënë përgjigje kësaj çështjeje.
Rexhepi ka thënë se, nëse ekspertizat vërtetojnë lidhjen e armatimit me viktimat, hetimi nuk duhet të kufizohet te identifikimi i tyre, por duhet të shkojë deri te personat përgjegjës.
“Duhet të zbulohet kush i ndaloi këta njerëz, kush urdhëroi vrasjen, kush i përdori armët, kush i varrosi trupat dhe kush kishte dijeni për varrezat. Po ashtu, duhet të sqarohet se kush e pengoi drejtësinë për më shumë se dy dekada. Këto janë pyetjet që duhet t’i përgjigjet hetimi”, ka theksuar ai.
Në përfundim, Rexhepi u ka kërkuar institucioneve të Kosovës që ta vijojnë procesin me kujdes maksimal, duke ruajtur çdo provë dhe duke garantuar që asnjë element të mos humbasë apo të komprometohet.
Ai ka propozuar që, nëse është e nevojshme, analizat të kryhen edhe jashtë Kosovës, në laboratorë të pavarur dhe të specializuar, në mënyrë që rezultatet të jenë sa më të pakontestueshme. Policia ka bërë të ditur se ekzaminimet duhet të përcaktojnë nëse armët janë përdorur në këtë rast ose në ngjarje të tjera.
“23 njerëz nuk janë thjesht një shifër. Ata përfaqësojnë 23 jetë, 23 familje, 23 histori dhe 23 plagë të pambyllura. Nëse ekspertiza forenzike dëshmon se armatimi i gjetur është përdorur në vrasjen e tyre, atëherë një pjesë e heshtjes së gjatë mund të marrë fund”, ka thënë Rexhepi për “Bota sot”.
Sipas tij, kjo nuk do të ishte vetëm një çështje që i përket së kaluarës, por edhe një përpjekje për drejtësinë e së tashmes dhe dinjitetin e viktimave. Ai ka theksuar se, edhe pse e vërteta mund të jetë vonuar për 27 vjet, institucionet kanë detyrim moral dhe ligjor të ndjekin çdo hallkë të zinxhirit të krimit deri në zbardhjen e plotë të tij, pasi familjet kanë pritur gjatë dhe drejtësia nuk duhet të vonohet më.
