Kurtit nuk “ia nxë goja” emrin e Thaçit: Titullari i atëhershëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur deputetit të PDK-së, Fadil Nura në Kuvend në lidhje takimit që ai zhvilloi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jen Stoltenberg.

Në fjalën e tij Kurti nuk përmendi emrin e Hashim Thaçit, teksa e quajti ‘titullari i atëhershëm i institucioneve të Kosovës’ kur foli mbi marrëveshjen me NATO-n.

“Marrëveshja në fjalë ka qenë dhe vazhdon të mbetet e dëmshme për interesat e Kosovës. Unë qëndroj prapa asaj që kam deklaruar. Unë nuk kam akuzuar sekretarin e NATO-së, për shkëmbimin e letrave, dhe nuk mund të kërkojë llogari prej tij, por kam akuzuar titullarin e atëhershëm te institucioneve të Kosovës që ka vënë nënshkrimin në një marrëveshje të tillë”,- deklaroi Kurti në Kuvend.

Kryeministri theksoi se kjo është një e keqe e madhe që nuk mund të rregullohet me një takim.

“Marrëdhëniet me NATO do të thellohen nuk keni pse shqetësoheni. Më 19 prill 2013, ish kryeministri i Kosovës ka nënshkruar marrëveshje me kryeministrin e Serbisë, aty janë rrënjët e së keqes. Njëra marrëveshje është bërë publike kurse tjetra jo ”, theksoi ai.

 


Shtuar 20.05.2021 12:30