Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka ritheksuar se partitë parlamentare shqiptare duhet të arrijnë një marrëveshje për kandidatin që do të zgjidhet presidenti i ardhshëm i Kosovës. Sipas tij, ky emër duhet të gëzojë konsensus.
Të lidhura
None found
Në një prononcim për mediat, Kurti deklaroi se presidenti apo presidentja e ardhshme duhet të jetë një personalitet i dëshmuar në profesion dhe në shoqëri, me merita, kontribut dhe vlera kombëtare e qytetare.
“Si fituese e zgjedhjeve, LVV-ja mban qëndrimin se presidenti i ardhshëm duhet të jetë konsensual dhe të sigurojë mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në popull. Ai ose ajo duhet të ketë merita e kontribut, të përfaqësojë vlera kombëtare dhe qytetare, si dhe të jetë i dëshmuar në profesion e në shoqëri. Për këtë arsye duam të arrijmë marrëveshje, në mënyrë që të shmangim zgjedhjet e reja”, tha Kurti.
Ai u përcolli urimet edhe 100 kadetëve që sot u bënë pjesë e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Kurti e cilësoi këtë si një ditë të gëzueshme dhe të suksesshme për Ministrinë e Drejtësisë, drejtësinë dhe Shërbimin Korrektues në Kosovë, pasi 100 kadetët përfunduan me sukses trajnimin 5-mujor dhe nga tani do të shërbejnë si 100 oficerë.
