Kryeministri Albin Kurti zhvilloi sot një takim me Admiralin George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, si dhe me komandantin e ri të misionit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Roberto Vergori.
Të lidhura
None found
Takimi u zhvillua në zyrën e kryeministrit pas ceremonisë së ndërrimit të komandës së KFOR-it, e mbajtur në shtabin e misionit në Prishtinë.
Gjatë përshëndetjes, Admirali Wikoff i përcolli Kurtit mesazhin: “Institucionet u themeluan, koha për të ecur përpara”.
Kurti u shprehu të dy zyrtarëve se Kosova është një partner dhe aleat që i jep rëndësi të veçantë paqes e sigurisë, si dhe mbrojtjes së të gjithë qytetarëve. Ai theksoi gjithashtu se vendi synon të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin rajonal e më gjerë.
“Në takimin e tretë këtë vit me Admiralin Wikoff dhe të parin me Gjeneralmajor Vergori, biseduam për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, zhvillimet dhe aktualitetin, sikurse për bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet institucioneve të Republikës dhe NATO-s. Jemi falënderues dhe mirënjohës për kontributin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, anëtare e së cilës synojmë të bëhemi, për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në Kosovë dhe mbarë Ballkanin Perëndimor. E, po ashtu për përkushtimin për mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunitetet”, tha Kurti.
Gjeneralmajor Roberto Vergori mori sot drejtimin e misionit të KFOR-it nga gjenerali turk Ozkan Ulutas.




