Kurti për darkën në Bruksel: Një mundësi e mirë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti mori pjesë në darkën e organizuar me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel.

Darka e organizuar nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell nga i pari i Qeverisë së Kosovës është vlerësuar si një mundësi e mirë për të diskutuar mbi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Ai në një postim në Twitter ka shkruar se darka me liderët e rajonit, po ashtu ishte një mundësi për të rritur ndihmën, mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë pandemisë dhe më gjerë.

Ndryshe, kryeministri Kurti mbrëmë pas darkës me liderët e Ballkanit Perëndimor, tha se ka shtruar integrimin sa më të shpejtë të rajonit në BE.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të ecin shumë më shpejt nëse i përmbahen tri vlerave të demokratizimit, të luftohen autokracitë në Ballkan, të luftohen oligarkitë dhe të eliminohen nga skena politike dhe institucionet kriminelët e luftës dhe të paqes. Edhe më tej, në Ballkanin Perëndimor kemi edhe kriminelë të luftës dhe të paqes që dominojnë në institucione”, ka thënë Kurti duke aluduar në liderët e shtetit të Serbisë.

Ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave për çka shfaqi shpresën se Gjermania si vend mik i Kosovës do të ndihmojë në këtë drejtim. Ndërsa për vaksinimin, kryeministri Kurti edhe një herë ka shprehur bindjen se do të arrihet 60 përqindëshi i vaksinimit të qytetarëve të Kosovës këtë vit.Gjatë qëndrimit në Bruksel, Kurti është takuar edhe me emisarin special të BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Ky i fundit në vizitën e tij të fundit në Prishtinë në fillim të marsit pati thënë se ai pret që marrëveshja Kosovë-Serbi të arrihet gjatë qeverisjes së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Sipas tij, nuk ka asnjë pengesë që një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të arrihet edhe brenda muajsh.

Kryeministri Kurti nga ana e tij, disa herë e ka potencuar se ai është i gatshëm për dialog me Serbinë, por nuk e ka prioritet.

Ndërkohë që data e takimit të radhës së dialogut është paraparë rreth datës 22 qershor, Kurti mbrëmë në Bruksel nuk ka dashur të konfirmojë datën e saktë të takimit, por shtoi se procesi i dialogut me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve.

Në prill, komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi, i shkroi një letër kryeministrit Kurti, në të cilën i kërkoi vazhdim të shpejtë të dialogut me Serbinë. Sipas Varhelyi, kthimi i perspektivës evropiane në realitet për Kosovën kërkon vazhdim të shpejtë të dialogut me Serbinë dhe normalizim raportesh mes dy vendeve./KosovaPress/

Shtuar 19.05.2021 22:00