Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po pret që të përfundojë shqyrtimi i ankesave dhe që institucionet kompetente të marrin vendimet përkatëse, përpara se të vazhdojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai ka sqaruar se veprimet e mëtejshme të KQZ-së do të varen nga përmbajtja e vendimeve që nxirren nga instancat përkatëse, nëse ato parashohin detyrime konkrete për institucionin zgjedhor.
Të lidhura
None found
“KQZ është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse. Mbetet të shihet nëse vendimet e tyre përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në për t’i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare. Nëse këto vendime s’përmbajnë diçka të tillë, atëherë pasi bëhen të plotfuqishme, KQZ është e gatshme menjëherë t’i shpall rezultatet përfundimtare”, ka deklaruar Elezi.
Ndërkaq, ai ka nënvizuar se me shpalljen e rezultateve përfundimtare nuk përfundon i gjithë procesi zgjedhor, pasi edhe ndaj këtij veprimi palët kanë të drejtë të paraqesin ankesa.
“Shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyll procesin zgjedhor, pasi palët kanë të drejtë ankese ndaj këtyre rezultateve. KQZ, ngjashëm si tani, duhet të presë afatin e ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse, t’i zbatojë vendimet e tyre nëse përmbajnë obligime dhe pastaj të procedojë me certifikimin e rezultateve”, është shprehur ai.
Në anën tjetër, kandidatët për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, dje iu drejtuan Gjykatës Supreme me ankesë, duke kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të kësaj partie, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) para dy ditësh i kishte rrëzuar ankesat e tyre.
