Prej 26 ditësh vijon revolta qytetare dhe sheshi përballë Kryeministrisë vazhdon të mbushet me qytetarë që kërkojnë largimin e kësaj qeverie, ndërsa Edi Rama të japë dorëheqjen e pakushtëzuar.
Aktori i njohur Bujar Asqeriu ka qenë vazhdimisht në mbështetje të protestës dhe të të rinjve që kërkojnë ndryshim të klasës politike dhe një të ardhme më të mirë për Shqipërinë, një të ardhme që nuk i detyron të largohen nga vendi.
Të lidhura
None found
“Të rinj e të reja, në mbështetje absolute të protestës suaj paqësore, të dhimbshme, kurajoze, trimërore. Migjeni do të thoshte: ‘Rini, rini, thuaja këngës më të bukur që di!’ Dhe ju po thurni dhe po këndoni këngën e lirisë. Ju po këndoni këngën e qëndresës. Ju po këndoni këngën e guximit. Ju jeni e ardhmja e këtij vendi. Ju do ta bëni Shqipërinë më të bukur, më të fortë dhe më të fuqishme në Ballkan dhe në Europë. Për këtë, ju përgëzoj dhe ju nderoj pamasë”, deklaronte ai pak ditë më parë.
Në rrjetet sociale janë bërë virale edhe deklarata të tij të mëhershme, të cilat pasqyrojnë me ashpërsi realitetin me të cilin përballen sot qytetarët. Aty ai vë përballë pasurinë marramendëse të qeveritarëve me jetën e vështirë të artistëve dhe njerëzve të thjeshtë, që nuk arrijnë dot të blejnë një shtëpi për veten.
“Artistët tanë jetojnë në shtëpi 50 metra katrorë ndërsa qeveritarët kanë vila nga 10 mln euro. Kjo është drama e madhe e këtij vendi. Këtë vend e udhëheqin dhe e drejtojnë hajdutët. Prandaj nuk mbetet lekë për artistët dhe teatër, prandaj ne na fusin në vërën e miut, atje te hidrocentrali. Hajdutët edhe lekët e një dosje që bën 100 lekë i marrin. Nuk lënë lekë në këmbë. Kjo është administrata jonë”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, në filmin e vitit 1983, Asqeriu sillte në ekran figurën e Avni Rustemit, i cili në fjalën e tij në parlamentin e asaj kohe shprehte shqetësim për një realitet të rëndë, ku njerëzit përballeshin me mungesa dhe vështirësi, duke kundërshtuar qeverisjen dhe gjendjen shoqërore.
“Kur popullit i verdhet fytyra nga mungesa e bukës, e kur qeveria nuk plotëson nevojat që ka kombi, ta detyrojmë ne. Qindra banorë po shpërngulen me forcë. Ka filluar një politikë e tmerrshme emigracioni dhe shkombëtarizimi. Ne duhet të protestojmë dhe të ngremë zërin”, ka thënë Bujar Asqeriu në film në vitin 1983.
