Kosova në qendër të retorikës nacionaliste para zgjedhjeve serbe

Ndërsa Serbia po i afrohet zgjedhjeve parlamentare, emri i Kosovës del shpesh në debate elektorale, por kryesisht si mjet për sulme politike dhe thirrje nacionaliste. Si qeveria ashtu edhe opozita po ripërsërisin qëndrimet e tyre të njohura, pa paraqitur asnjë propozim konkret për të ardhmen e dialogut me Prishtinën apo për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër.

Të lidhura

None found

Vëzhguesit politikë thonë se pushteti po e shfrytëzon temën e Kosovës për të minuar mbështetjen për Listën Studentore, e cila shihet si kundërshtarja kryesore në këtë cikël zgjedhor.

“Gjatë ndjekjes së fushatës kemi vënë re se çështja e Kosovës përdoret më së shumti nga pushteti në një fushatë negative kundër studentëve, me pretendimin se ata do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Kështu synohet që një pjesë e elektoratit me prirje nacionaliste të largohet nga Lista Studentore”, u shpreh Sofija Popovbiq nga European Western Balkans.

Qëndrimet kryesore mbeten të pandryshuara. Partia në pushtet dhe Lista Studentore vazhdojnë t’i referohen Kushtetutës së Serbisë, ndërsa disa formacione nacionaliste kërkojnë braktisjen e marrëveshjeve të Brukselit. Një perspektivë ndryshe sjell koalicioni opozitar “Serbia Evropiane”, i cili mbështet integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe normalizimin e raporteve me Kosovën.

“Kemi dokumente të miratuara në Kuvend dhe duhet të veprojmë sipas tyre. Duhet të liberalizojmë tregtinë, lëvizjen e njerëzve, arsimin, sportin e kështu me radhë. Për mua kjo është çështje humane, jo çështje shtetësie”, deklaroi Goran Jeshiq nga Koalicioni “Serbia Evropiane”.

Kosova vazhdon të jetë burim përplasjesh politike në Serbi. Megjithatë, në këto zgjedhje kanë rëndësi edhe votat e serbëve që jetojnë në Kosovë. Më 25 tetor ata do të mund të votojnë në Rashkë, Vranjë, Kurshumli dhe Tutin.

Qeveria e ardhshme në Beograd do të përballet me detyrimet që dalin nga procesi i dialogut. Për Kosovën dhe gjithë rajonin, pyetja kryesore pas zgjedhjeve mbetet: a do të ndryshojë vetëm gjuha politike, apo do të ketë një qasje të re të Beogradit ndaj Kosovës?


Shtuar më 17.10.2026 20:49