Një marrëveshje e re zbatimi u firmos mes Kosovës dhe Gjermanisë, duke shënuar një etapë të re në partneritetin e tyre për veprimin ndaj ndryshimeve klimatike dhe transformimin e sektorit energjetik.
Të lidhura
None found
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë atasheu për Klimën pranë Ambasadës Gjermane në Prishtinë, zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë, përfaqësues nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe ekspertë të GIZ Kosovo, njoftoi përfaqësia diplomatike gjermane.
Dokumenti i ri shndërron Partneritetin e gjerë për Klimën dhe Energjinë mes dy vendeve në një plan veprimi konkret, duke synuar të përmirësojë dialogun mbi politikat, të rrisë bashkërendimin ndërinstitucional dhe të forcojë aftësitë vendore. Njëkohësisht, ai mbështet diplomacinë klimatike të Kosovës, i jep shtysë profilizimit të saj në arenën globale dhe nxit pjesëmarrjen më të gjerë të qytetarëve në nismat për mbrojtjen e mjedisit dhe tranzicionin energjetik.
Sipas Ambasadës së Gjermanisë, kjo marrëveshje përbën një tjetër gur kilometrik në bashkëpunimin afatgjatë ndërmjet dy shteteve dhe dëshmon angazhimin e përbashkët për një zhvillim të qëndrueshëm të Kosovës, si dhe për përshpejtimin e rrugës së saj drejt integrimeve evropiane.
