Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi se Kosova bën pjesë në shtetet që përkrahin Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën.
Gjatë takimit informues të Bordit të Paqes për Gazën, ai nënvizoi se distanca prej më shumë se një mijë kilometrash mes Kosovës dhe Gazës nuk e kufizon përgjegjësinë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
Të lidhura
None found
“Edhe pse më shumë se një mijë kilometra e ndajnë Kosovën nga Gaza, përgjegjësia për paqen dhe sigurinë nuk ndalet në kufij”, shkroi Konjufc në X.
Konjufca bëri të ditur gjithashtu se Kosova ishte ndër vendet pjesëmarrëse në konferencën e nivelit të lartë të Bordit të Paqes që mbështetën krijimin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën.
Sipas tij, 27 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova ka kaluar nga një vend që kishte nevojë për ndihmë ndërkombëtare në një shtet që kontribuon për paqen dhe sigurinë në botë.
“27 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova është një histori suksesi: dikur një vend në nevojë për mbështetje ndërkombëtare, sot kontribuojmë në paqen dhe sigurinë globale”, tha Konjufca.
Ministri i Jashtëm theksoi se Republika e Kosovës është e përgatitur të japë kontributin e saj në këtë drejtim.
“Republika e Kosovës qëndron e gatshme të bëjë pjesën e saj”, shkroi Konjufca.
