Mentor Beqiri, avokati i Jakup Krasniqit, deklaroi se mbrojtja pret që procedura në Apel të përfundojë brenda 12 muajve. Ai shprehu bindjen se aktgjykimi i shkallës së parë nuk do të lihet në fuqi.
Të lidhura
None found
Gjatë emisionit “Debat Plus”, Beqiri tha se ekipi mbrojtës është plotësisht i bindur se vendimi i shkallës së parë do të rrëzohet.
“Unë besoj që do të përfundojmë më shpejt se dymbëdhjetë muaj. Por mund të shpejtohet më shumë. Ne 100 për qind besojmë dhe jemi të bindur për çështjen që ky aktgjykim nuk mund të konfirmohet nga asnjë trup gjykues”, deklaroi Beqiri.
Sipas tij, kjo bindje nuk lidhet vetëm me Gjykatën e Apelit, por edhe me çdo vlerësim të mundshëm nga komuniteti juridik ndërkombëtar.
“Ky aktgjykim nuk mund të konfirmohet nga asnjë trup gjykues, qoftë Gjykata e Apelit, por nuk besojmë që as nga komuniteti juridik ndërkombëtar dikush mund ta konfirmojë”, u shpreh ai.
Avokati foli gjithashtu për organizimin dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara, duke përmendur shkallën e parë, shkallën e dytë, shkallën e tretë dhe Dhomën Kushtetuese.
Beqiri tha se në këtë sistem zbatohen parimet e dyshkallësisë dhe trishkallësisë. Megjithatë, ai e konsideroi “pak të çuditshme” ekzistencën e një kryetari në strukturën e Dhomave të Specializuara.
“Sigurisht vlen parimi i dyshkallësisë dhe trishkallësisë, mirëpo është për mua pak e çuditshme se si mund të ketë dyshkallësi dhe trishkallësi kur ke një kryetar apo një kokë udhëheqës të këtij tribunali”, tha Beqiri.
Ai theksoi se gjyqtarët e Apelit duhet ta shqyrtojnë vendimin e shkallës së parë dhe të korrigjojnë gabimet e mundshme të evidentuara në të.
“Anëtarët e trupit gjykues në shkallën e dytë kanë për obligim që të korrigjojnë të gjitha gabimet që janë evidentuar në aktgjykimin e shkallës së parë, e që për neve janë të shumta”, përfundoi Beqiri.
