Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ka theksuar se pret që Serbia të japë kontributin e saj për të mundësuar llogaridhënien lidhur me sulmet që ndodhën në Kosovë gjatë vitit 2023.
Të lidhura
None found
Duke folur për incidentin në Banjskë të atij viti, ai e cilësoi si një provë të vështirë për misionin, por theksoi se Aleanca Veriatlantike reagoi pa vonesë.
“Ngjarjet në Banjskë në vitin 2023 përbënë një sfidë të madhe që kërkoi një ndërhyrje të shpejtë dhe të prerë,” u shpreh Ulutash për Info Magazine të Klan Kosovës. “NATO-ja u përgjigj menjëherë, dhe kjo solli përforcimin më të ndjeshëm të aftësive të KFOR-it në mbi një dekadë.”
Ai shtoi se megjithë vështirësitë e hasura përgjatë 27 viteve të historisë së tij, KFOR-i ka treguar vazhdimisht se është i aftë të zbatojë në mënyrë të plotë dhe të paanshme mandatin e dhënë nga OKB-ja, si dhe të përshtatet kur rrethanat e sigurisë e diktojnë këtë.
“Përparësia jonë është të garantojmë që si qëndrimi ynë ashtu edhe prania operative në terren të jenë gjithmonë në lartësinë e detyrës. Mbi këtë fokusohem unë dhe çdo anëtar i KFOR-it nën komandën time, çdo ditë, pa asnjë ndërprerje,” tha ai.
Ulutash njoftoi se misioni që drejton komunikon në mënyrë të vijueshme me Forcat e Armatosura Serbe dhe se nga Beogradi zyrtar pret ndihmë për të siguruar që autorët e sulmeve të vitit 2023 në Kosovë të mbajnë përgjegjësi.
“Së pari, dëshiroj të nënvizoj se KFOR-i ruan kontakte të rregullta dhe transparente me Forcat e Armatosura Serbe në të gjitha shkallët,” u shpreh ai.
“Së shpejti do të shkoj përsëri në Beograd për t’u takuar me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe, gjeneralin Mojsilloviq. Ky do të jetë takimi im i pestë me të gjatë këtij mandati.”
“Unë e çmoj shumë bashkëpunimin e ndërtuar me gjeneralin Mojsilloviq përgjatë viteve. Ai ka ndihmuar në forma të ndryshme, duke forcuar transparencën, besimin reciprok dhe duke ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit në rajon,” vijoi ai.
“Së dyti, sikurse e kanë bërë të ditur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe zyrtarë të tjerë të aleancës, ne presim mbështetjen e Serbisë për të garantuar llogaridhënie për sulmet e pajustifikueshme të ndodhura në Kosovë në vitin 2023,” përfundoi Ulutash.
