Avni Islami, analist i sigurisë, e ka cilësuar vlerësimin pozitiv të NATO-s dhe KFOR-it për situatën e sigurisë në Kosovë si një goditje ndaj politikave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në Facebook, Islami ka deklaruar se vlerësimi i favorshëm për gjendjen e sigurisë dhe besimi gjithnjë e më i madh te institucionet vendase tregojnë se Kosova ka shënuar përparim të rëndësishëm në konsolidimin e sigurisë.
Ai ka theksuar se gatishmëria dhe profesionalizmi i institucioneve vendase të sigurisë dëshmohen edhe nga vendimi i KFOR-it për t’ia kaluar gradualisht përgjegjësitë Policisë së Kosovës, përfshirë lokacione të ndjeshme si Manastiri i Deçanit dhe Ura e Ibrit.
“Përmes këtij plani të tranzicionit, trupat ndërkombëtare po zëvendësohen nga policia vendase, ndërsa garantohet siguri e barabartë për të gjithë”, ka thënë Islami.
Sipas analistit të sigurisë, Beogradi i është përgjigjur këtyre zhvillimeve me retorikë kërcënuese dhe agresive, çka, në vlerësimin e tij, nxjerr në pah dështimin e strategjisë së Serbisë.
Islami ka shtuar se transferimi i përgjegjësive tek institucionet vendase po e transformon hap pas hapi realitetin e sigurisë në Kosovë, duke dobësuar atë që ai e quan “mit të Beogradit zyrtar”.
