Me rastin e 36-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, ish-delegatët e asaj periudhe u kanë kërkuar deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës që të heqin dorë nga interesat personale dhe partiake dhe të bëjnë sa më shpejt konstituimin e institucioneve të reja të vendit, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ish-delegati Jakup Ballatovci theksoi se deputetët duhet të luajnë rol bashkues dhe ta vendosin interesin e shtetit mbi atë individual, duke rikujtuar se, sipas tij, delegatët e vitit 1990 dalloheshin për unitet.
Të lidhura
None found
Ballatovci: Të lihen inatet anash dhe të formohen institucionet e reja
“Apeloj që të jenë unifikues. Të jenë në nivelin tamam të deputetit dhe t’i kenë interesat shtetërore dhe jo personale. Si popull, si delegat i ish asaj kohe kemi qenë unik dhe kemi bërë vetëm çështjen kombëtare dhe jo personale. Apeloj që brenda kohës së shkurt të konstituohen organet shtetërore”, thotë ai.
Mesazh të ngjashëm dha edhe ish-delegati Nezir Sallahu, i cili vlerësoi se uniteti mbetet elementi kryesor për tejkalimin e çdo sfide politike dhe shtetërore. Ai kujtoi se delegatët e atëhershëm arritën rezultate të mëdha pikërisht falë bashkimit, ndonëse vepronin në rrethana të rënda.
Sallahu: Partitë të bëhen bashkë për formimin e institucioneve
“Porosia ime është që të jenë bashkë. T’i zgjidhin problemet bashkë pasi pa unitet nuk ka asgjë. Prandaj i lus të jenë unik për çdo çështje, qoftë politike, ekonomike dhe të gjitha. Ne kemi qenë shumë unik pasi mos me qenë unik nuk do t’i kishim mbërri me bërë këto rezultate dhe punë të mëdha. Në atë kohë kur kemi shpallë Deklaratën Kushtetuese këtu kanë qenë në ndërtesa plot me snajper”, deklaron Sallahu.
Edhe ish-delegati Agush Balaj u kërkoi deputetëve që të tregojnë përkushtim në përmbushjen e detyrimeve të tyre dhe të veprojnë në dobi të qytetarëve. Ai nënvizoi se pas zgjedhjeve duhet të konstituohet Kuvendi, të krijohet Qeveria dhe të zgjidhet presidenti, duke kërkuar që përfaqësuesit politikë të mos udhëhiqen nga egoja dhe interesat partiake.
Balaj: Të formohet qeveria dhe të zgjidhet presidenti – liderët të mos bëhen egoistë
“Tani iu apeloj deputetëve të zgjedhjeve të 7 qershorit, që s’dihet a do të bëhet certifikimi i tyre, që çdo njeri të përkushtohet në aspektin profesional dhe t’i zbatojë interesat e bazës nga vjen. Me qëllime të caktuara, për zhvillim ekonomik, arsim dhe drejtësi…. Janë bërë zgjedhjet, të konstituohet Kuvendi, formohet qeveria dhe të zgjidhet presidenti, mos të bëhen egoistë, pa marrë parasysh cila parti”, potencon ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i publikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit më 27 qershor.
Nga ky proces zgjedhor, si forcë e parë doli Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, me 47.13%, duke siguruar 53 ulëse. Partia Demokratike e Kosovës mori 19.44% dhe fitoi 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.69% siguroi 18 ulëse, ndërsa Aleanca me 6.74% fitoi shtatë ulëse.
Përveç konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të qeverisë, deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë kanë edhe detyrimin për ta zgjedhur presidentin e ri, për të cilin afati është 60 ditë nga momenti i konstituimit të Kuvendit.
Zgjedhjet e 7 qershorit u mbajtën pikërisht pasi partitë parlamentare dështuan ta zgjedhin presidentin e vendit, pas përfundimit të mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani.
