Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, zhvilloi një takim me admiralin George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, dhe gjeneralmajorin Roberto Vergori, komandantin e ri të misionit të KFOR-it në Kosovë.
Të lidhura
None found
Në këtë takim, ku morën pjesë edhe bashkëpunëtorët e Hoxhës, u diskutua për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë dhe bashkëpunimin ndërmjet Policisë së Kosovës dhe misionit të KFOR-it.
Hoxha i informoi zyrtarët e lartë ushtarakë mbi zhvillimet e sigurisë në vend, ndërsa palët trajtuan edhe çështje të tjera me rëndësi në këtë fushë.
Sipas Policisë së Kosovës, vëmendje e veçantë iu kushtua thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit me Komandën e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli dhe me misionin e KFOR-it në Kosovë.
Në njoftimin zyrtar thuhet se gjatë takimit u shkëmbyen informacione për situatën e sigurisë në Kosovë, për bashkëpunimin e ndërsjellë me KFOR-in, si dhe për mundësitë e avancimit të marrëdhënieve me Komandën e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli dhe misionin e KFOR-it në Kosovë.





