Haxhiu u kërkon zyrtarëve të dëshmojnë para komisionit për rastin Zekaj

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje të gjithë zyrtarëve që do të ftohen si dëshmitarë për vrasjen e Arlinda Zekajt t’u përgjigjen kërkesave të komisionit hetimor parlamentar.

Haxhiu foli pas mbledhjes së kryesisë, ndërkohë që komisioni po zhvillonte takimin e tij të parë. Ajo tha se, si kryetare e Kuvendit, do të jetë plotësisht në dispozicion për të mbështetur punën e komisionit dhe për të trajtuar kërkesat e tij.

Të lidhura

None found

Sipas Haxhiut, hetimi i veprimeve dhe mosveprimeve në këtë rast duhet të kryhet nga Prokuroria, me angazhimin e Prokurorisë Speciale. Ajo e cilësoi komisionin hetimor një mekanizëm shtesë, i cili në përfundim të punës do të përgatisë një dokument për t’ia dërguar Prokurorisë përgjegjëse.

Haxhiu e quajti shqetësues faktin që Këshilli Gjyqësor i Kosovës ende nuk ka suspenduar asnjë zyrtar. Ajo ngriti shqetësime edhe për mosveprimin e komunës së Pejës, duke thënë se kryetari Gazmend Muhaxheri dhe drejtoria përkatëse për mirëqenie, e cila monitoron QPS-në, nuk kanë dërguar raport për masat ndaj zyrtarëve përgjegjës.

Ndërkohë, Haxhiu vlerësoi suspendimin e kryeprokurores së Pejës, zëvendëses së saj dhe 11 zyrtarëve policorë.

Komisioni hetimor parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt u konstituua sot. Kryetari i tij, Burim Ramadani, njoftoi se puna do të kalojë në tri faza: hetimi dhe mbledhja e provave, vlerësimi i hetimeve dhe përgatitja e raportit përfundimtar.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës nga kunati i saj. Në lidhje me rastin janë suspenduar 11 zyrtarë policorë, si dhe kryeprokurorja dhe prokurorja e Pejës. Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqje.


Shtuar më 2.11.2026 12:46