Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, pranoi sot letrat kredenciale të Arnaud Dusaucy, ambasadorit të ri të Mbretërisë së Belgjikës në Republikën e Kosovës. Me këtë rast, ajo i uroi atij mirëseardhje dhe sukses në detyrën e tij diplomatike.
Të lidhura
None found
Haxhiu theksoi se Kosova dhe Belgjika kanë krijuar ndër vite raporte të shkëlqyera, të bazuara në miqësi, partneritet dhe mbështetjen e pandërprerë belge për Kosovën. Sipas saj, kjo përkrahje ka nisur që gjatë periudhës së luftës dhe ka vijuar me njohjen e hershme të pavarësisë, si dhe me proceset e shtetndërtimit dhe integrimit euroatlantik.
Takimi u fokusua në mundësitë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik e ekonomik, shtimin e shkëmbimeve dhe investimeve, si dhe në perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.
“Besoj se gjatë mandatit të Ambasadorit Dusaucy do t’i çojmë në një nivel edhe më të avancuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe do të krijojmë fusha të reja bashkëpunimi në të mirë të qytetarëve tanë”, deklaroi U.D. Presidentja Haxhiu.
