Pas shfaqjes në Kuvend të videos së daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar pushtetin për atë që ai e cilësoi si mospërputhje mes deklarimeve patriotike dhe veprimeve ndaj veteranëve.
Haradinaj u shpreh se të njëjtët që e shfaqën këtë video, së bashku me Listën Serbe, i kanë përjashtuar veteranët nga përfitimi i pagës minimale. Këto veprime ai i quajti mashtrim dhe theksoi se veteranët janë lënë në gjendje të rëndë ekonomike.
Të lidhura
None found
“Edhe sot e pamë edhe e vërtetuam një tallava patriotike. Pra, në Kuvend u shfaq videoja e daljes publike të UÇK-së, nga ata që bashkë me listën serbe i kanë përjashtuar veteranët e UÇK-së nga paga minimale. Pra, kuptoni pse po reagoj, edhe të dashur qytetarë të vendit, këta janë mashtrues. Pra, e shfaqin videon e daljes publike të UÇK-së, në të njëjtën kohë këta së bashku me listën serbe i kanë përjashtuar veteranët nga paga minimale dhe i kanë lënë në mjerim. Le ta besojnë të gjithë, pra, këtë paftyrësi edhe këtë mashtrim të tyre”, deklaroi Haradinaj.
Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka rikthyer në vëmendje sakrificën e UÇK-së dhe kontributin e saj në rrugën drejt lirisë, duke shprehur njëkohësisht mbështetje për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Në adresimin e saj në Kuvend, Haxhiu tha se Dita e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila shënohet më 27 nëntor, lidhet drejtpërdrejt me trashëgiminë e UÇK-së dhe sakrificën e dëshmorëve.







