Dy vendet e lira në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të mbetura nga legjislatura e mëparshme, do të plotësohen përmes një thirrjeje publike. Vendimin për nisjen e kësaj procedure e mori në mbledhjen e tij të parë Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese.
Të lidhura
None found
Sipas kryetarit të komisionit, Vigan Qorrolli, thirrja do të nisë nesër dhe kandidatët do të kenë 20 ditë në dispozicion për të aplikuar. Afati për dorëzimin e kandidaturave përfundon më 2 nëntor 2026.
Duke shpjeguar vendimin, Qorrolli tha se komisioni u mblodh për herë të parë dhe miratoi hapjen e thirrjes për zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj, me qëllim plotësimin e vakancave të trashëguara nga legjislatura paraprake.
Ai sqaroi se Ligji për Gjykatën Kushtetuese u mundëson të gjitha institucioneve të drejtësisë të propozojnë kandidatë që përmbushin kushtet e përcaktuara në të. Në këtë proces mund të përfshihen edhe individë që paraqesin vetë kandidaturën e tyre.
Shqyrtimi i aplikimeve do të nisë pasi të mbyllet thirrja publike. Qorrolli bëri të ditur se komisioni do të mblidhet për të vlerësuar çdo kandidaturë të pranuar dhe për të intervistuar kandidatët.
Në përfundim të kësaj procedure, komisioni do t’i paraqesë Kuvendit për miratim në seancë plenare kandidatët që vlerësohen të emërueshëm, tha Qorrolli.






