Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ish-presidentin Hashim Thaçi, gjatë së cilës kanë folur për Kosovën, familjet, miqtë dhe qytetarët që, sipas tij, ende besojnë në kthimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas Hamzës, pjesë e kësaj bisede ka qenë edhe procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, si dhe pritja për shpalljen e aktgjykimit.
Të lidhura
None found
“Drejtësia mund të vonohet, por nuk duhet të tjetërsohet”, ka shkruar ai, duke theksuar bindjen se më 16 shtator “drejtësia do të vihet në vend” dhe se Thaçi, së bashku me bashkëluftëtarët e tij, do të kthehen të lirë në Kosovë.
Hamza ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë komunikimit i ka përcjellë Thaçit përshëndetjet dhe mbështetjen e qytetarëve të Kosovës. Ai shtoi se edhe ish-presidenti ka kërkuar që përshëndetjet e tij t’u dërgohen të gjithë qytetarëve.
“Me qetësinë dhe besimin që e karakterizon, bisedën e përfunduam me shpresën se shumë shpejt do të shihemi në Kosovë”, ka shkruar Hamza.
Në fund të reagimit të tij, kreu i PDK-së e ka përsëritur mesazhin: “Dielli do të lindë përsëri! Për çlirimtarët, për historinë tonë të lavdishme dhe për Kosovën!”.
