Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka dhënë përkrahjen e tij për iniciativën e Institutit të Kosovës për Drejtësi, e cila kërkon të penalizojë mosrespektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe shpërdorimin e thesarit publik në periudhë zgjedhore.
Të lidhura
None found
IKD ka filluar grumbullimin e firmave për një propozim ligjor qytetar që synon ndryshime në Kodin Penal.
Sipas propozimit, zyrtarët që nuk zbatojnë aktgjykimet e Kushtetueses do të përballeshin me pasoja penale, njësoj si edhe përdorimi i parave të buxhetit për të manipuluar vullnetin e zgjedhësve dhe për të siguruar përparësi të paligjshme gjatë garës elektorale.
Në një deklaratë për publikun, Gjini u shpreh se megjithëse respektimi i ligjit themelor dhe ndalimi i abuzimit me fondet publike duhet të jenë norma në një demokraci të shëndoshë, shkeljet e hapura të ndodhura në vitet e fundit e bëjnë të domosdoshme kodifikimin e këtyre çështjeve.
Ai vuri në dukje se shpërndarja e ndihmave nga arka shtetërore në prag të votimeve nuk është kujdes social, por një mekanizëm për të blerë vota me të ardhurat e taksapaguesve.
“Procesi zgjedhor duhet të jetë një konkurrencë e ndershme, jo një pazar ku qeveria hyn në lojë me kasafortën publike nën sqetull”, citohet të ketë thënë Gjini, raporton KosovaPress.
Ai insistoi se duhet të vendoset llogaridhënie penale si për shpërfilljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe për financimin e fushatave me para të taksapaguesve.
“Ky abuzim duhet të dënohet ligjërisht, pavarësisht se kush e kryen. Edhe unë do të vë firmën time”, deklaroi Gjini, duke iu bashkuar radhëve të përkrahësve të kësaj nisme të IKD-së.
Ndërkohë, hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, njoftoi të enjten se për ta çuar këtë propozim përpara në Kuvend, nevojiten të paktën 10 mijë nënshkrime të vlefshme.
