Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka bërë thirrje për intensifikimin e hetimeve financiare dhe marrjen e masave për konfiskimin e pasurive të siguruara përmes veprimtarisë kriminale.
Të lidhura
None found
Ai mori pjesë në takimin e organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, UNDP, UNODC dhe Instituti i Bazelit për Qeverisje, ku u shkëmbyen përvoja lidhur me hetimet financiare, konfiskimin e pasurive në çështjet e korrupsionit dhe rolin e Zyrës për Rikthimin e Aseteve.
Gjatë fjalës së tij, Gashi theksoi se përballja me korrupsionin dhe format e tjera të krimit kompleks kërkon më shumë se ndjekje penale. Sipas tij, procesi duhet të përfshijë edhe hetimin financiar dhe identifikimin e pasurisë së krijuar nga aktivitetet kriminale.
“Pasuria e përfituar në mënyrë të kundërligjshme duhet të gjurmohet, të sekuestrohet dhe të konfiskohet përfundimisht, ndërsa të ardhurat e fituara në mënyrë të kundërligjshme duhet t’i kthehen shtetit dhe të dëmtuarve që kanë pësuar nga veprimtaritë kriminale”, deklaroi Gashi.
Ai u shpreh se ky takim synon forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe vendeve pjesëmarrëse, duke mundësuar gjithashtu ndarjen e ekspertizës dhe praktikave profesionale për hetimet financiare, sekuestrimin, konfiskimin dhe rikthimin e aseteve.
Veprimtaria mblodhi kryeprokurorë dhe prokurorë nga Kosova, përfaqësues të institucioneve ligjzbatuese, përfaqësues të SPAK-ut në Shqipëri, prokurorë të Prokurorisë Kantonale të Sarajevës, si dhe drejtues të Zyrave për Rikthimin e Aseteve nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina.
