Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që Gani Geci të qëndrojë një muaj në paraburgim, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të kanosjes.
Të lidhura
None found
Masa është caktuar nga Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Penale, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe seancës dëgjimore të zhvilluar për këtë çështje.
Sipas gjykatës, ekziston mundësia që i pandehuri ta përsërisë veprën penale ose të ndërmarrë hapa për realizimin e kanosjes për të cilën dyshohet. Ky rrezik është vlerësuar si konkret, real dhe i mbështetur në rrethanat specifike të rastit.
Gjykatësi i procedurës paraprake e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit G.G., për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer veprën penale “Kanosja”, sipas nenit 181, paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pas përfundimit të seancës dëgjimore, gjykata ka caktuar paraburgimin në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Në arsyetimin e saj, gjykata ka theksuar se kjo masë është e përshtatshme, pasi mënyra dhe rrethanat e dyshuara të kryerjes së veprës, përmbajtja dhe intensiteti i kërcënimeve, si dhe sjellja e të pandehurit pas ngjarjes, tregojnë për një rrezik të konkretizuar të përsëritjes së veprës ose të realizimit të kanosjes.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se, nëse lihet i lirë pa masa parandaluese të përshtatshme, i pandehuri mund të përpiqet të kontaktojë sërish të dëmtuarin L.M., ta ushtrojë ndaj tij presion të mëtejshëm përmes kanosjeve ose të ndërmarrë veprime për përmbushjen e kërcënimit të pretenduar.
Sipas vendimit, masat alternative ndaj paraburgimit nuk do të mjaftonin për parandalimin e përsëritjes së veprës penale apo të kryerjes së veprës me të cilën dyshohet se është kanosur i dëmtuari. Për këtë arsye, në këtë fazë të procedurës, paraburgimi është konsideruar i domosdoshëm, ndërsa asnjë nga masat e tjera të parashikuara në nenin 171 të KPPRK-së nuk është vlerësuar e mjaftueshme për eliminimin e rrezikut konkret.
Palët kanë të drejtë të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës.






