Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, paraqiti sot në Kuvendin e Kosovës raportin vjetor të auditimit për vitin 2025, i cili shqyrton menaxhimin e fondeve publike.
Sipas Spancës, raporti mbështetet në dy shtylla. E para është auditimi financiar vjetor i qeverisë për buxhetin e vitit 2025, me opinionin e auditimit, gjetjet kryesore dhe rekomandimet. E dyta përmbledh rezultatet e auditimeve të veçanta në institucionet publike.
Të lidhura
None found
Ajo tha se, ndonëse janë shënuar përmirësime në disa fusha, mbeten mangësi që kërkojnë ndërhyrje dhe përgjegjësi më të madhe nga institucionet. Sipas saj, cilësia e raportimit financiar të qeverisë është përmirësuar ndër vite dhe, në aspektet e vlerësuara, raportimi është në përputhje me standardet dhe kornizën përkatëse ligjore. Megjithatë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar. Spanca shpjegoi se raporti vjetor financiar paraqet një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, ndërsa çështjet që ndikuan në opinion lidhen me klasifikimin e shpenzimeve, pasuritë, llogaritë dhe detyrimet e raportuara.
Ndër gjetjet që ajo paraqiti është klasifikimi jo i duhur i shpenzimeve në vlerë prej 77,4 milionë eurosh. Nga kjo shumë, 58,5 milionë euro janë pagesa të kryera në bazë të vendimeve gjyqësore nga kategori buxhetore jo të përshtatshme, kryesisht për detyrime që rrjedhin nga kontrata kolektive në nivel komunal. Pjesa tjetër përbëhet nga buxhetim jo adekuat prej 4,5 milionë eurosh dhe keqklasifikime prej 14,4 milionë eurosh të shkaktuara nga vetë organizatat buxhetore.
Auditimi ka evidentuar gjithashtu mbivlerësim të pasurive me 33,5 milionë euro. Në raportimin e zërave të tjerë financiarë janë identifikuar llogari të arkëtueshme të nënvlerësuara me 4,4 milionë euro, detyrime të papaguara të mbivlerësuara me 2,8 milionë euro, si dhe detyrime dhe kontingjente të mbivlerësuara me afro 30 milionë euro. Spanca tha se këto gjetje tregojnë nevojën për forcimin e kontrolleve të brendshme, pavarësisht përparimeve të arritura.
Duke folur për realizimin e buxhetit dhe gjendjen e financave publike gjatë vitit 2025, Spanca bëri të ditur se të hyrat buxhetore kaluan 3 miliardë e 512 milionë euro, rreth 9 për qind më shumë se në vitin 2024. Ajo tha se edhe shpenzimet buxhetore u rritën me 9 për qind. Nga buxheti përfundimtar prej 3 miliardë e 848 milionë eurosh, u realizua 91 për qind.
Për deficitin buxhetor, auditorja tha se është respektuar kufiri ligjor. Deficiti i planifikuar ishte 224 milionë euro, ose rreth 2 për qind e Bruto Produktit Vendor, ndërsa sipas realizimit përfundimtar të buxhetit ai rezultoi rreth 7,8 milionë euro, ose 0,07 për qind e Bruto Produktit Vendor.
Në fund të vitit 2025, borxhi shtetëror arriti në 1,8 miliardë euro, tha Spanca. Krahasuar me vitin paraprak, 2024, ai u rrit me 80,4 milionë euro, ose 4,6 për qind. Borxhi përbënte 16,5 për qind të BPV-së, duke mbetur brenda kufirit ligjor prej 40 për qind.
Spanca përmendi edhe vonesa në zbatimin e projekteve, të cilat ia atribuoi si ndryshimeve të çmimeve në treg, ashtu edhe planifikimit të dobët.
Më herët gjatë seancës së sotme, shefi i GP të PDK-së, Arian Tahiri, kërkoi që raportimi i Auditores së Përgjithshme të shtyhej për seancën e radhës, për shkak të mungesës së kryeministrit dhe ministrit të Financave. Kërkesa e tij nuk kaloi në votim.






