BE-ja kërkon përparim në dialog dhe kritikon Kosovën e Serbinë

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet një parakusht i rëndësishëm për avancimin e të dyja vendeve drejt Bashkimit Evropian. Në draftraportet vjetore për Kosovën dhe Serbinë, të cilat Komisioni Evropian pritet t’i publikojë më 4 nëntor, paralajmërohet se mungesa e rezultateve do të sjellë pasoja politike dhe ekonomike.

Komisioni Evropian vlerëson se Serbia ka shkelur detyrimet e saj, veçanërisht përmes lobimit kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Interpolin.

Të lidhura

None found

Drafti thekson se këto qëndrime, së bashku me deklaratat e përsëritura nxitëse të zyrtarëve serbë, kanë vijuar të dëmtojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Beogradi kritikohet edhe për mungesën e hapave të rëndësishëm për vendosjen para drejtësisë të përgjegjësve për sulmin në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Gjendja në veri të Kosovës përshkruhet si e qetë, por ende e brishtë. Ndërkohë, Kosova kritikohet për veprime të përsëritura që nuk janë në përputhje me detyrimet e dialogut, mes tyre edhe aksionet policore kundër strukturave të mbështetura nga Serbia.

Sipas dokumentit, nuk është bërë përparim në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Prishtina nxitet ta nisë këtë proces në përputhje me angazhimet e marra në kuadër të dialogut.

Sa u përket strukturave të mbështetura nga Serbia që veprojnë në Kosovë, Komisioni Evropian nënvizon se statusi i tyre duhet të përcaktohet në bazë të marrëveshjeve të dialogut dhe ligjeve të Kosovës, dhe jo përmes masave të njëanshme e të pakoordinuara.

BE-ja kërkon gjithashtu zhvillimin e konsultimeve të strukturuara me serbët e Kosovës, si dhe bashkëpunim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun.

Lidhur me urën mbi lumin Ibër, qëndrimi i BE-së është se ajo duhet të hapet, por për këtë nevojitet koordinim më i madh ndërmjet komunave dhe institucioneve qendrore.

Draftraporti vlerëson se Kosova nuk ka bërë hapa përpara në fushat themelore, ndërsa funksionimi i institucioneve është vështirësuar nga fragmentimi politik.


Shtuar më 31.10.2026 18:46