Ekspertizat e Byros Federale të Hetimeve të SHBA-së dhe të Policisë Shkencore të Romës po paraqiten si dëshmi që, sipas akuzës, lidhin tre të pandehurit me sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.
Të lidhura
None found
Kjo u tha të enjten në seancën gjyqësore që u mbajt në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Sipas prokurorit Bekim Kodraliu, laboratorët federalë të Shteteve të Bashkuara kanë analizuar mostrat e baltës dhe dheut të marra nga çizmet e të akuzuarit Jovan Vićentijević, duke i krahasuar ato me dheun e mbledhur në vendin e ngjarjes, si edhe me mostra të marra në tri lokacione të tjera, me synimin për të vërtetuar përputhshmërinë e baltës.
Prokurori Kodraliu: Ekspertët e FBI-së i morën mostrat e baltës nga vendi i ngjarjes dhe dhe i krahasuan me tri vende tjera
“Ndër provat që do të prezantohen para jush, që konsiderojmë se kanë një rëndësi të veçantë të besueshmërisë, është edhe raporti i ekspertizës i mostrave të dheut të realizuara nga laboratorët federalë të shteteve të bashkuara të Amerikës. Ekspertët e FBI-së kanë analizuar mostrat e baltës dhe të dheut të marra nga çizmet e të pandehurit Jovan Vićentijević dhe ato mostra i kanë krahasuar me mostrat e dheut të siguruara në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe në tre vende të tjera të ndryshme me qëllim që të vërtetohet saktësia e baltës së gjetur në çizmet e të pandehurit. Konkluzioni i ekspertëve të FBI-së ka konstatuar se mostrat e çizmeve të të pandehurit për dallim nga tre vendet e tjera, nuk paraqesin dallime për nga ngjyra, struktura, përbërja minerale dhe karakteristika të tjera fizike të dheut të marrë në vendin e ngjarjes me dheun dhe baltën që është gjetur në çizmet e të pandehurit. E që do të vërtetohet para jush se pandehurit kanë qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në sulmin terrorist”, tha ai, raporton KosovaPress.
Ai theksoi se përfundimi i ekspertëve të FBI-së tregon se, ndryshe nga tri vendet e tjera të krahasuara, mostrat e marra nga çizmet e të pandehurit nuk kanë dallime në ngjyrë, strukturë, përbërje minerale dhe veçori të tjera fizike në raport me dheun e marrë në vendin e ngjarjes.
Po ashtu, Kodraliu deklaroi se kjo do të mbështetet edhe nga raportet e ekzaminimit të pajisjeve elektronike, komunikimet mes të akuzuarve dhe personave të ndryshëm, fotografitë dhe incizimet e objekteve të KFOR-it nga brenda, si dhe materialet që lidhen me Njësinë Speciale të Kosovës dhe pamjet e Viçentijeviqit me uniforma ushtarake serbe.
Kodraliu: Viçentijeviqit iu gjetën materiale duke i fotografuar Njësinë Speciale, KFOR-in e duke ushtruar në poligon në Serbi
“Kjo gjendje do të vërtetohet edhe nga raportet e ekzaminimit të pajisjeve elektronike, komunikimet në mes personave të ndryshëm dhe të pandehurve, fotografimi dhe incizimi i objekteve të KFOR-it në brendësi të tij, fotografimi i bazës së njësisë speciale të Policisë së Kosovës në Jasenovik, fotografimi dhe video incizimi i pjesëtarëve të KFOR-it amerikan, si dhe video incizime e fotografi të të pandehurit Viçentijeviq me uniforma ushtarake serbe dhe pajisje luftarake e pjesëmarrja në ushtrimet e tyre në poligonin që e potencuam më herët. Të gjitha këto dokumentojnë se të pandehurit kanë ndërmarrë veprime inkriminuese. Gjatë ekzaminimit të pajisjeve elektronike të të pandehurit, janë gjetur dokumente konfidenciale të KFOR-it prej rreth 66 faqesh me nivel të klasifikimit ‘Konfidencial’. Është gjetur edhe kartela identifikuese e tij që e konfirmon se i njëjti ishte pjesëtar i shërbimit inteligjent ushtarak serb”, tha ai, raporton KosovaPress.
Sipas prokurorit, përgjegjës për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit është pikërisht Viçentijeviqi, duke u mbështetur në raportin e shërbimit të policisë shkencore në Romë, i cili, sipas tij, ka konstatuar se në fitilin ndezës të eksplozivit të gjetur në vendin e ngjarjes janë identifikuar gjurmët e ADN-së së serbit.
Kodraliu: ADN-ja e Viçientijeviqit u gjet në fitilin e eksplozivit në “Ibër-Lepenc”
Raporti i shërbimit të policisë shkencore në Romë, respektivisht ekzaminimi biologjik i mostrave të ADN-së, do të vërtetojë pa asnjë mëdyshje se i pandehuri Jovan Vićentijević ka kryer sulmin terrorist, ngase në fitilin ndezës të eksplozivit të gjetur dhe i marrë në vendin e ngjarjes, është vërtetuar shkencërisht se në atë fitil janë gjetur gjurmët e ADN-së së të pandehurit Jovan Vićentijević
