Avokati Arianit Koci ka njoftuar se Avdi Memçaj po mbahet në paraburgim në Serbi që prej 20 majit, pasi është arrestuar në pikën kufitare në Merdarë nën dyshimin për nxitje të urrejtjes përmes rrjeteve sociale.
Të lidhura
None found
Sipas Kocit, familja e Memçajt i është drejtuar atij me kërkesë që të merret me mbrojtjen e të drejtave të tij. Ai ka bërë të ditur se Memçaj jeton prej vitesh në Kroaci dhe atje është pronar i disa furrave të bukës.
Avokati theksoi se rastin do ta ndjekë me seriozitet dhe se do të përdorë të gjitha mjetet juridike të nevojshme. Po ashtu, ai u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të japin mbështetjen e nevojshme institucionale.
Koci ka shprehur edhe shqetësimin për rritjen e rasteve kur qytetarë të Kosovës ndalohen gjatë kalimit nëpër Serbi, duke i ftuar ata që situata të tilla t’i raportojnë te institucionet përgjegjëse.
Postimi i plotë:
Në Serbi, në paraburgim që nga 20 maji, nën dyshimin për nxitje të urrejtjes përmes rrjeteve sociale.
Sipas informatave që më ka dhënë familja e tij, Avdi Memçaj është arrestuar më 20 maj në pikën kufitare në Merdarë dhe prej asaj dite ndodhet në paraburgim në Serbi.
Familjarët e tij më kanë kërkuar të angazhohem për mbrojtjen e të drejtave të Avdi Memçajt.
Sipas tyre, Avdi Memçaj jeton prej vitesh në Kroaci, ku është pronar i disa furrave të bukës.
Deri më sot, ata nuk e kanë bërë publik rastin, nga frika se kjo mund të sillte pasoja si për Avdi Memçajn, ashtu edhe për familjen e tij, pasi shpesh kalojnë nëpër Serbi për të ardhur në Kosovë.
Do ta trajtoj me seriozitet këtë rast dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet juridike që ligji i lejon për mbrojtjen e të drejtave të tij.
Pres që edhe institucionet e Republikës së Kosovës ta shqyrtojnë me seriozitet këtë rast dhe të ofrojnë mbështetjen e nevojshme institucionale për mbrojtjen e të drejtave të Avdi Memçajt.
Në të njëjtën kohë, dua të ngre edhe një shqetësim.
Së fundmi kam pranuar gjithnjë e më shumë informata për ndalimin e shtetasve të Republikës së Kosovës gjatë kalimit nëpër Serbi. Në disa raste, më është raportuar edhe kontrolli i përmbajtjes së telefonave mobilë.
I ftoj qytetarët që, nëse përballen me situata të tilla, t’i njoftojnë institucionet e Republikës së Kosovës dhe, kur të jetë e nevojshme, të kërkojnë ndihmë juridike. Vetëm kështu mund të krijohet një pasqyrë e plotë e situatës dhe të ketë reagim në kohë.
