Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Ky autorizim vjen pasi Kuvendi më 17 prill miratoi kërkesën e Qeverisë që FSK-ja të marrë pjesë në operacion paqeruajtës.
Të lidhura
None found
Haxhiu në një postim në Facebook tha se Kosova, nga një vend që kishte nevojë për mbështetjen e të tjerëve, tani jep kontribut në skenën ndërkombëtare.
“Pjesëmarrja në misione të tilla dëshmon pjekurinë shtetërore të Republikës sonë dhe vendin që Kosova po e forcon çdo ditë në arenën ndërkombëtare”, shkroi ajo.
Më 30 mars, Qeveria e miratoi propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në Gazë.
Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, që është një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së Bordit të Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.
Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.
Megjithatë, ende nuk dihet se kur saktësisht do të ndodhë dislokimi i trupave dhe sa do të jetë numri i tyre.
Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.
Sipas raportimeve të transmetuesit publik izraelit KAN, Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të nisë angazhimin në Gazë nga muaji maj, përfshirë edhe dhjetëra ushtarë nga Kosova, megjithëse institucionet në Prishtinë nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë afat.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar më herët se fillimisht planifikohet dërgimi i mbi 20 ushtarëve të specializuar në fusha të ndryshme, përfshirë njësitë për deminim dhe eliminim të mjeteve të pashpërthyera (EOD), operacione speciale, planifikim dhe ekipe mjekësore.
Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të ketë për detyrë stabilizimin e situatës së sigurisë në Gazë, pas luftës që nisi në tetor të vitit 2023, kur Hamasi – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë pengje.
Sulmet pasuese izraelite në Gazë shkaktuan dhjetëra mijëra viktima, krizë humanitare dhe dëme të mëdha materiale.
Plani për krijimin e kësaj force është pjesë e një pakoje më të gjerë për arritjen e paqes, e cila është pranuar nga palët në konflikt.
Kjo nuk është hera e parë që FSK-ja dislokohet jashtë vendit. Më 2021, ajo mori pjesë në një mision në Kuvajt në bashkëpunim me forcat amerikane, ndërsa më 2022 në Ishujt Falkland, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar.
Si për këto misione, ashtu edhe për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, dërgimi i FSK-së jashtë vendit bëhet në bazë të Ligjit për dërgimin e kësaj force jashtë vendit.
Përveç misioneve jashtë vendit, FSK-ja ka marrë pjesë edhe në operacione të kërkim-shpëtimit dhe misione të tjera me karakter humanitar.
Po ashtu, pjesëtarë të FSK-së marrin pjesë në trajnime jashtë vendit në kuadër të bashkëpunimit me shtete të ndryshme. Shembull, në muajin dhjetor 2025, pjesëtarë të operacioneve speciale të FSK-së, në bashkëpunim me ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar kryen trajnime në xhunglat tropikale të shtetit të Belizës.
FSK-ja po ashtu merr pjesë në trajnime të ndryshme me ushtrinë amerikane dhe ka partneritet të ngushtë me Gardën Kombëtare të shtetit amerikan të Ajovës.
Forca e Sigurisë së Kosovës aktualisht është në proces të shndërrimit në ushtri të plotë, proces që pritet të përfundojë deri në vitin 2028./REL
