Seritë e vrasjeve që kanë tronditë Kosovën gjatë ditëve të fundit kanë bërë që ekspertët e sigurisë të ngrisin zërin. Kriminologu Mensut Ademi vlerëson se këto tragjedi brenda familjeve janë pasojë e një krize të thellë të vlerave shoqërore dhe paralajmërojnë rrezikun e dezorganizimit edhe më të madh të shoqërisë.
Të lidhura
None found
Duke folur në Five, Ademi theksoi se burimi i problemit qëndron te vetëdija e popullit dhe te mënyra si fëmijët edukohen në familje, duke shtuar se muajt e ftohtë mund ta përkeqësojnë mëtejshëm gjendjen.
“Ne si shoqëri kemi rënë në një krizë të vlerave shoqërore… koha dhe veçoritë që shkojmë kah dimri, në aspektin kriminologjik janë ato veçoritë e depresionit. po ne kemi qenë në një depresion të thellë familjar në familje. në bazë të këtij dhe i kemi pa gabimet e hapave si shoqëri, se cilat janë kriteret dhe karakteristikat e vetëdijesimit të popullit tonë. kur them popullit, them edukimit të familjes”, deklaroi ai.
Sipas kriminologut, çdo vrasje brenda familjes duhet të trajtohet si sinjal alarmi për gjithë shoqërinë, pasi në rast se vlerat dhe edukimi familjar nuk ndryshojnë, përshkallëzimi i rasteve të tilla mund të vazhdojë.
“Ne deri tash kemi pasur vrasje në familje dhe ende nuk jemi pjekur si shoqëri, por është një paralajmërim se po shkojmë kah dezorganizimi, ku mund të kemi vrasje mes vëllait e motrës, vrasje masive në familje”, tha Ademi.
Komentet e tij erdhën menjëherë pas tre rasteve të rënda të vrasjeve familjare të raportuara brenda pak ditësh në Kosovë: në njërën prej tyre një burrë dyshohet se ia ka marrë jetën bashkëshortes dhe vëllait të saj, ndërsa në tjetrën një baba dyshohet se ka vrarë djalin e vet.






