Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, të mërkurën qëndroi në Berlin, ku mori pjesë në panelin “Ballkani Perëndimor në një udhëkryq: Gjeopolitika dhe siguria”, të organizuar nga Instituti Aspen.
Në këtë panel u diskutua për zhvillimet gjeopolitike dhe të sigurisë në rajon, zgjerimin e BE-së, Procesin e Berlinit, si dhe ndikimin e aktorëve të jashtëm.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit, Ahmeti vlerësoi se sfidat e sigurisë në rajon paraqiten në dy drejtime: nga ndërhyrjet e aktorëve të jashtëm dhe nga problemet që burojnë brenda vetë rajonit. Në këtë kuadër, ai përmendi ambiguitetin gjeopolitik, që po mundëson shtrirjen e ndikimit rus dhe kinez në Ballkan dhe, nëpërmjet tij, edhe në Evropë.
Zv/ministri i Jashtëm theksoi se, “në planin e brendshëm, stabiliteti rrezikohet nga qasjet revizioniste, kontestimi i sovranitetit dhe mungesa e llogaridhënies për aktet e dhunës dhe të agresionit”.
“Ai theksoi gjithashtu se të drejtat e pakicave në rajon duhet të mbrohen sipas standardeve të njëjta evropiane, pa u përdorur për qëllime politike”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Në fund, lidhur me procesin e zgjerimit, Ahmeti u shpreh se integrimi në BE përbën një instrument strategjik për paqen dhe sigurinë, duke mbështetur integrimin gradual të rajonit në politikat dhe mekanizmat e BE-së, të ndërlidhur me reformat dhe përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.
Më herët gjatë ditës, Ahmeti zhvilloi takim me Drejtorin e Përgjithshëm për Evropën në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Christoph Israng, si dhe me deputetët e Bundestagut, Peter Beyer dhe Boris Mijatovic, anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme.
Sipas njoftimit për media të MPJD-së, në takimin me Israng u bisedua për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet aktuale politike dhe avancimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Gjermanisë, me theks të veçantë te organizimi i konsultimeve të para politike ndërmjet dy vendeve.
Në takime të ndara me deputetët Beyer dhe Mijatovic, zëvendësministri Ahmeti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës dhe nënvizoi përkushtimin e vendit për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e MPJD-së, bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamje për zgjerimin e BE-së, zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon dhe në Evropë, si dhe për rëndësinë e mbështetjes ndaj agjendës euroatlantike dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
