Procesi për konstituimin e Kuvendit, i planifikuar të përfundonte më 6 gusht, është ndërprerë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi bisedime të tjera me partitë politike për çështjen e presidentit.
Të lidhura
None found
Gjatë fjalës së tij, Kurti foli për hapat drejt krijimit të institucioneve, kontaktet me subjektet politike dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit për ruajtjen e stabilitetit institucional dhe vijimin e proceseve demokratike, transmeton “Bota sot”.
Kryeministri deklaroi se takimet për konstituimin e institucioneve nisën menjëherë pas certifikimit të rezultateve. Ai falënderoi kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën, për takimin, si dhe kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, për takimet e zhvilluara.
Sipas Kurtit, dialogu u pezullua për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK dhe rifilloi vetëm gjatë kësaj jave. Ai tha se kërkohen bisedime edhe me PDK-në dhe AAK-në, ndonëse refuzimi i këtyre dy partive është bërë i qartë.
Kurti theksoi se zgjedhjet e 7 qershorit u shkaktuan nga moszgjedhja e presidentit në prill. Sipas tij, ecja përpara duhet të bëhet bashkërisht, ndërsa nevojitet një pajtim sa më i gjerë për një president unifikues, në përputhje me kushtetutshmërinë për të cilën u betuan sot. Ai nënvizoi se konstituimi nuk duhet të çojë sërish në shpërndarjen e Kuvendit dhe në zgjedhje të parakohshme, të cilat i cilësoi të paarsyeshme, të panevojshme për qytetarët dhe të dëmshme për ekonominë.
Lidhja Demokratike e Kosovës pranoi që bisedimet të vazhdojnë edhe sot, ndërkohë që PDK-ja dhe AAK-ja po i qëndrojnë vendimit për të mbetur në opozitë.
Duke analizuar zhvillimet e fundit për “Bota sot”, profesor doktor Sadri Ramabaja thotë se LDK-ja kërkon presidencën me synimin që, gjatë krizave politike dhe kushtetuese, ta kthejë atë në një qendër të dytë të legjitimitetit shtetëror.
Ramabaja e konsideron të rrezikshme këtë qasje, por vlerëson se LDK-ja ndodhet përpara një mundësie historike. Sipas tij, një synim i tillë mund ta çojë Republikën drejt një cikli të ri krizash institucionale, ndërsa fryma e Kushtetutës kërkon një president konsensual që gëzon besim të gjerë politik dhe qytetar.
Ai thotë se LDK-ja mund të ndihmojë në kapërcimin e krizës politike nëse paraqet dy ose tre kandidatura me integritet, kredibilitet dhe përgatitje profesionale, pavarësisht nëse vijnë nga fusha akademike apo ajo diplomatike.
Nëse LDK-ja nuk propozon dy ose tre figura të tilla, Ramabaja paralajmëron se mbajtja e zgjedhjeve për herë të katërt do të ishte pothuajse e pashmangshme. Pasojat politike, sipas tij, mund të jenë veçanërisht të kushtueshme për vetë LDK-në.

Profesori e përmbledh situatën përmes shprehjes së urtësisë popullore: “Zgjidh e merr”.
I pyetur për refuzimin e PDK-së dhe AAK-së që të zhvillojnë bisedime të tjera me Kurtin, Ramabaja e cilëson opozitën vulgare.
Sipas tij, opozita vijon të përpiqet t’ua imponojë qytetarëve vullnetin e vet politik, duke e paraqitur atë si të vetmen rrugë për mbrojtjen e demokracisë liberale.
Ramabaja thotë se tipari më dallues i opozitës së sotme në Kosovë është fryma e saj vulgare. Sipas tij, edhe pse është e vetëdijshme për këtë vulgaritet, të shfaqur sidomos përmes bllokimit të institucioneve dhe imponimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ajo pretendon haptazi të drejtën e kësaj sjelljeje, po të përdoret gjuha e J.O. Gasetit.
Ai vlerëson se opozita po abuzon me Kushtetutën dhe po këmbëngul që vullnetin e saj politik t’ua paraqesë qytetarëve si rrugën e vetme për ruajtjen e demokracisë liberale.
Në përfundim, Ramabaja shprehet se ky vulgaritet, i përdorur si veprim politik, është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës.
Sipas tij, opozita nuk resht së paraqituri këtë “shteg të madh të frymës budiste” si angazhimin e saj më të lartë për të shmangur “lodhjen e masave nga politika”. Ai shton se zëdhënësit e saj, të cilët i quan specie të veçanta, arsyetohen duke thënë se “ne jemi të gatshëm për ndarjen e pushteteve”, ndonëse një vulgaritet i tillë politik bie ndesh me frymën kushtetuese.
