Largohet deponia ilegale në Prekaz, Pacolli paralajmëron ndëshkime të ashpra

Ministrja Fitore Pacolli bëri të ditur se në Prekazin e Epërm ka nisur pastrimi i një deponie ilegale mbeturinash, të cilën e përshkroi si ndër më të mëdhatë në atë zonë.

Në një postim në Facebook, ajo njoftoi se aksioni zhvillohet në kuadër të fazës së dytë të pastrimit të deponive ilegale në Kosovë.

Të lidhura

None found

Pacolli tha se, pasi të përfundojë pastrimi, zona do të mbikëqyret vazhdimisht përmes kamerave dhe dronëve.

Në mesazhin e saj, ministrja theksoi se toka e dëshmorëve nuk duhet të shndërrohet në vendgrumbullim mbeturinash. Ajo bëri me dije se këto ditë po pastrohet deponia më e madhe ilegale në këtë pjesë të Prekazit të Epërm, si pjesë e aksionit që shtrihet në mbarë Kosovën.

Sipas Pacollit, hedhja e mbeturinave pranë varrezave të dëshmorëve është e papranueshme dhe pasqyron mungesë respekti ndaj atyre që dhanë jetën për lirinë. Ajo shtoi se dashuria për atdheun nuk mund të shprehet duke e kthyer atë në deponi mbeturinash.

Ministrja paralajmëroi se kushdo që kapet duke hedhur mbeturina do të gjobitet rreptësisht, pa përjashtim. Ajo u zotua se puna për pastrimin e çdo cepi të vendit do të vazhdojë, duke theksuar se atdhe tjetër nuk kemi.


Shtuar më 7.10.2026 21:43