Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka ndërmarrë të gjitha përgatitjet e duhura në infrastrukturë dhe staf për të menaxhuar rritjen e numrit të udhëtarëve gjatë muajve të verës.
Të lidhura
None found
Këtë e konfirmoi zëdhënësja Valentina Gara, e cila theksoi se pritshmëritë janë që ky sezon të jetë po aq i ngarkuar, edhe pse tre muajt e fundit shënuan një tkurrje të fluksit.
Ajo njoftoi se korriku ka regjistruar një ngritje të lehtë të pasagjerëve, dhe se aeroporti është plotësisht i aftë për t’iu përgjigjur çdo volumi.
“Jemi gati të mirëpresim çdo sasi udhëtarësh. Vitin e kaluar e mbyllëm me 4.6 milionë pasagjerë. Në tre muajt e parë patëm rritje, ndërsa në tre muajt pasardhës kemi shënuar ulje. Megjithatë, korriku ka nisur me një rritje të vogël dhe shpresojmë që ky sezon të jetë i ngarkuar”, deklaroi Gara.
Sipas saj, rënia e numrit të udhëtarëve në muajt paraprakë u ndikua nga kriza në Evropë, e nxitur nga konflikti SHBA-Iran.
Lidhur me çmimet e biletave, Gara shpjegoi se ato përcaktohen nga linjat ajrore dhe variojnë në varësi të kërkesës së tregut, destinacionit dhe momentit të blerjes.
Ajo shtoi se tarifat që aplikohen nga aeroporti për çdo udhëtar mbeten fikse, pavarësisht se sa kushton bileta. Këto taksa arrijnë afërsisht në 20.53 euro për person dhe përfshijnë shërbimet e sigurisë, kontrollin e trafikut ajror dhe operacionet tokësore.
Nga ana tjetër, Gara njoftoi se Aeroporti i Prishtinës ka pasuruar ofertën me destinacione dhe rrugë të reja dhe se rrjeti i fluturimeve do të vazhdojë të zgjerohet.
Ajo veçoi shtimin e rrugëve nga operatorët GP Aviation dhe Wizz Air, si dhe vendosjen e bazës së Wizz Air në kryeqytetin kosovar, duke e quajtur këtë një hap historik për sektorin e aviacionit në vend.
Sipas Garës, në periudhën afatshkurtër do të shtohen destinacione të reja dhe do të rriten frekuencat e fluturimeve në linjat aktuale.
