Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë vendim të mos i vazhdojë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se subjekti i tij do të mbetet në opozitë, por nuk e përjashtoi mundësinë që të mbështesë një kandidat për president.
Të lidhura
None found
Duke folur për “Bota sot”, ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, e cilësoi si jo mjaftueshëm të qartë deklarimin e Abdixhikut pas largimit të partisë nga negociatat.
Sipas Salihajt, nuk përputhet me logjikën e ndjekur deri më tani që LDK-ja të heqë dorë nga gjithçka dhe njëkohësisht ta ndihmojë Vetëvendosjen në zgjedhjen e presidentit. Ai tha se mesazhi i përcjellë duket sikur LDK-ja nuk kërkon asgjë, ua lë të gjitha të tjerëve dhe pranon ta votojë presidentin. Salihaj shtoi se nuk e di se çfarë synohet me këtë qasje, e cila, sipas tij, nuk tingëllon bindëse.
Në përmbyllje, ish-deputeti vlerësoi se, pavarësisht mënyrës se si do të arrihet, do të ishte në të mirë të Kosovës që Kuvendi të konstituohej, Qeveria të formohej dhe presidenti të zgjidhej.
