Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të tregojë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe ta shmangë retorikën që “synon ta politizojë” drejtësinë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me këmbëngulësinë e kryeministrit Albin Kurti për të mos iu përgjigjur thirrjes së prokurorëve për të dëshmuar në lidhje me rastin e rezervave shtetërore, Isufaj tha se “ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë për zyrtarët e lartë shtetërorë”.
“Ftesa për dhënien e dëshmisë është procedurë e rregullt dhe çdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore të bashkëpunojë me institucionin e drejtësisë.
U bëj thirrje të gjitha institucioneve, përfshirë Qeverisë së Kosovës që të tregojnë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe ta shmangin retorikën që synon politizimin e drejtësisë”, tha Isufaj.
Kurti nuk iu përgjigj më 16 dhjetor ftesës së Prokurorisë Speciale për t’u paraqitur në zyrat e saj për të dëshmuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore, në të cilin është e përfshirë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari.
Ai madje i ka ftuar prokurorët të shkojnë në zyrën e tij në Kryeministri për ta marrë në pyetje si dëshmitar.
Isufaj tha se nuk ka ndodhur ndonjëherë që një kryeministër të intervistohet në zyrën e tij, të paktën jo gjatë mandatit të tij.
“Unë nuk kam informata që dikush është intervistuar në zyrën e kryeministrit. Derisa po bëhen pesë vjet që jam kryeprokuror i kësaj Prokuroria, raste të tilla nuk ka pasur”, tha ai.
Në gusht të vitit 2023 u arrestuan disa persona nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
Në mesin e të arrestuarve kishte edhe punonjës të MINT-it.
Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve nga portali Nacionale në Kosovë, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, si dhe rezervat e grurit, nuk kishin arritur kurrë.
Hajdari kishte thënë në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk kishte dhënë më shumë detaje.
Kurti i kishte dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.
Pas ftesës për intervistim në Prokurorinë Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore, Hajdari ishte mbrojtur në heshtje në paraqitjen e saj para prokurorve.
Rezervat shtetërore përbëhen nga mielli, vaji, sheqeri, barnat, produktet higjienike, nafta etj., që mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme – si pasojë e fatkeqësive natyrore apo luftërave – por edhe në rast të mungesës së këtyre artikujve në treg.
Ato i menaxhon Departamenti i Rezervave Shtetërore të Mallrave, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Kosova nisi mbledhjen e këtyre rezervave nga viti 2012. Ato sigurohen me buxhet të shtetit, por edhe nga mallrat që konfiskohen për shkak të veprave kundërvajtëse dhe kalojnë në pronësi të shtetit.
Se sa është sasia e këtyre rezervave nuk dihet, meqë ky informacion, me Ligjin për rezervat shtetërore, konsiderohet sekret shtetëror, ashtu si edhe vendndodhja e tyre./REL