50 euro gjobë për këmbësorët të cilët kalojnë rrugën me telefon në dorë apo dëgjuese në veshë

Policia e Kosovës ka treguar se cilat janë gjobat për shoferët të cilën përdorin telefonat sa janë duke lëvizur me vetura e tyre në trafikun rrugor dhe për këmbësorët të cilët përdorin telefonin dhe mbajnë dëgjuese në veshë sa janë duke kaluar rrugën apo shiritin për biçikleta.

Policia e Kosovës përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se shoferit të mjetit me veprim motorik gjatë kohës së drejtimit i ndalohet mbajtja e telefonit të dorës dhe pajisjeve të tjera të cilat do ta zvogëlonin mundësinë e reagimit dhe drejtimit të sigurt të mjetit.

Sipas tyre, mosrespektimi i kësaj rregulle ndëshkohet me masë dhe gjobë.

Policia përmes njoftimit ka bërë të ditur se edhe këmbësorëve iu ndalohet përdorimi i telefonit dhe dëgjuesve në veshë gjatë kalimit të rrugës, të shiritit, të shtegut të biçikletave ose të binarëve.

“Këmbësorë: Gjatë kalimit të rrugës, të shiritit apo të shtegut të biçikletave ose të binarëve, këmbësorit nuk i lejohet përdorimi i telefonit mobil, shfrytëzimi i dëgjueseve në veshë apo i pajisjeve të tjera të ngjashme që mund ta hutojnë.

Mosrespektimi i kësaj rregulle ndëshkohet me gjobë (50) euro, këmbësori i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij rregulli.

Mos përdor telefonin dhe mjete të tjera hutuese përderisa jeni pjesë e trafikut!

Mos rrezikoni jetën tuaj dhe të të tjerëve”, shkruhet në postim.


Shtuar 4.04.2024 15:42