25 vjet që kur NATO filloi bombardimet kundër forcave serbe, pilotja shqiptaro-amerikane: Sapo u bë thirrja, isha e para që u paraqita

Kanë kaluar 25 vite që kur NATO filloi bombardimet kundër forcave serbe, duke shënuar fundin e pushtimit të Serbisë. Faruza Kallaba ishte një ndër pilotet që drejtonin aeroplanët luftarakë të cilët bombarduan Serbinë.

Lidhur me këtë ngjarje historike për Kosovën foli sot për mediat në Kosovë, pilotja amerikane me origjinë shqiptare, Faruza Kallaba, e cila 25 vite më parë bombardoi për javë të tëra dhe furnizoi aeroplanët e NATO-s derisa po kryenin intervenimin mbi caqet serbe në Kosovë.

“Kam pasur shumë netë që qëndroja në ajër. Disa nga to kanë qenë shumë të rëndësishme. Ne kemi qëndruar në Francë dhe fluturonim mbi zonë dhe duhej të rimbushnim aeroplanët gjatë fluturimit. Ne bënim çdo gjë që duhej për të ndihmuar Kosovën dhe për mua kjo ishte gjë e mrekullueshme”, tha ajo për RTK.

Kallaba thotë se pilotëve kohë pas kohe u jepet mundësia të zgjedhin nëse dëshirojnë të marrin pjesë në misione ushtarake në vende të caktuara dhe ajo tregon se ishte e lumtur që bëhej fjalë për Kosovën.

“Kohë pas kohe na jepet mundësia kush dëshiron të shkojë në misione, pos në rastet kur e gjithë njësia zbarkon. Kësaj radhe sapo doli mundësia unë isha e para që u paraqita sepse kjo ishte shumë speciale për mua. Në të gjitha vitet e karrierës për mua kjo ishte kulminacioni i karrierës, pasi edhe isha afër pensionit,” shtoi

Një emocion i madh për kallaban është edhe uniforma e saj ushtarake që ndodhet në një muze në Kosovë.

Gjithashtu Faruza thotë se për herë të fundit ishte në Kosovë me babain në vitin 2004 dhe ishte shumë emocionale për të. Ndërsa në vitin 2008 babai i saj kishte ndërruar jetë.


Shtuar 24.03.2024 20:48