Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se ngërçi i krijuar për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve pritet të marrë zgjidhje me nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Sipas tij, problemi lidhet me mungesën e bazës ligjore për formulën e pagave të magjistratëve, pas shfuqizimit të saj nga Gjykata Kushtetuese. Gogu theksoi se vendimi i GJK për pagat e magjistratëve nuk mund të negociohet apo relativizohet.
Të lidhura
None found
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme, janë të detyrueshme për t’u zbatuar, nuk negociohen, nuk relativizohen. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga çdo institucion”, deklaroi ai.
Sipas ministrit, pikërisht mungesa e bazës ligjore ka krijuar situatën aktuale, duke bërë që Ministria e Financave të mos ketë mundësi të procedojë me pagesat sipas formulës së re. Gogu bëri të ditur se zgjidhja pritet të vijë me nisjen e sesionit të ri parlamentar, i cili nis ditën e martë.
“Në fillimin e sesionit të ri parlamentar, që nis ditën e martë, boshllëku ligjor do të plotësohet dhe detyra ime është që kjo të bëhet shpejt dhe sa më mirë”, tha ai, ndërsa shtoi se qëllimi është që zgjidhja të jetë në përputhje si me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe me përgjegjësinë për administrimin e buxhetit të shtetit.
I pyetur për qëndrimet e ndryshme të gjyqtarëve dhe drejtuesve të institucioneve të drejtësisë lidhur me mënyrën e zbatimit të vendimit të Kushtetueses, ministri tha se, nëse Gjykata Kushtetuese do të kishte përcaktuar vetë formulën ligjore, Ministria e Financave do ta kishte zbatuar atë.
Sipas Gogut, Kushtetuta përcakton se çështja e pagave duhet të rregullohet përmes ligjit dhe kjo është ajo që pritet të ndodhë me nisjen e sesionit parlamentar.
Kujtojmë se konflikti mes magjistratëve dhe qeverisjes qendrore nisi pasi Kuvendi i Shqipërisë injoroi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që deri me 31 korrik të realizohej formula e re e pagave të tyre. Kur data kaloi, KLGJ dhe KLP thanë se janë të detyruara për ta zbatuar vetë vendimin e Kushtetueses, dhe caktuan pagën referuese.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu: Paraja publike është para e qytetarëve, jo e qeverisë. Çdo qindarkë e buxhetit të shtetit duhet të ketë autorizim ligjor për t’u shpenzuar. Ky është parimi më i rëndësishëm për të gjithë, vlen për të gjithë njësoj. Këtë përgjegjshmëri që qytetarët presin nga ne, do ta mbrojmë pa asnjë hezitim.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme, janë të detyrueshme për t’u zbatuar, nuk negociohen, nuk relativizohen. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga çdo institucion.
Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe përgjegjshmëria për zbatimin e buxhetit kërkojnë autorizim të qartë ligjor për ta zbatuar. Këtu na është krijuar edhe problemi. Është boshllëku ligjor shkaku i gjithë situatës në të cilën ne ndodhemi sot.
Nuk kemi arritur këtu se dikush kërkoi më shumë dhe dikush kërkoi më pak. Kemi arritur sepse na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratit, të cilën Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi. Në mungesë të autorizimit ligjor, Ministria e Financave është në pamundësi për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese
Në fillimin e sesionit të ri parlamentar, që nis ditën e martë, boshllëku ligjor do të plotësohet dhe detyra ime është që kjo të bëhet shpejt dhe sa më mirë. Qoftë në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por të plotësohet tërësisht dhe në përputhje të plotë edhe me buxhetin e shtetit. Ndaj, zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen me njëra-tjetrën, zgjidhja është në Kuvendin e Shqipërisë në ditën në vijim. Ky do të jetë drejtimi ynë dhe detyra ime në rolin e ministrit të Drejtësisë për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje të situatës…
Për sa i përket opinioneve që gjyqtarët kanë, dhe kryetarët, dhe kanë opinione të ndryshme se si duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ajo që mund të them unë është se, nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pas caktimit të afatit ligjor, do të kishte caktuar formulën ligjore, jam i bindur se edhe ministri i Financave do ta kishte zbatuar.
Por Gjykata Kushtetuese vendimin ligjor e ka vendosur ashtu siç e kërkon Kushtetuta. Në Kuvend me ligj. Pagat kanë nevojë për autorizim ligjor dhe formulë ligjore dhe kjo është ajo që do të ndodhë kur të nisë sesioni parlamentar, ku të dyja anët, qoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe përgjegjshmëria ndaj buxhetit të shtetit, do të takohen dhe zbatohen. Mosmarrëveshja zgjidhjet në Kuvend me ligj.
