Nisma e re e Partisë Socialiste, “Prania Besnike”, ka nisur këtë të premte në orën 17:00 në të gjithë Shqipërinë, megjithëse jo të gjithë deputetët socialistë zhvilluan takime me qytetarët.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se kjo nismë do të përsëritet çdo të premte, në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend.
Të lidhura
None found
Sipas Ramës, “Prania Besnike” është konceptuar si një hapësirë neutrale, ku qytetarët mund të paraqesin drejtpërdrejt shqetësimet, ankesat dhe kërkesat e tyre, pa kamera dhe pa teserë partie.
Ai sqaroi se nuk bëhet fjalë për një mbledhje, por për dëgjesa individuale. Problemet e paraqitura do të regjistrohen dhe do t’u përcillen zyrtarisht institucioneve përkatëse përmes deputetit.
Rama theksoi se nisma nuk garanton zgjidhjen e çdo problemi, por synon që asnjë kërkesë të mos mbetet pa u trajtuar dhe që çdo qytetar të marrë përgjigjen që i takon.
“Sot në orën 17.00 ka nisur në të gjithë Shqipërinë Prania Besnike e Partisë Socialiste. Ajo do të organizohet çdo të premte, në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend.
Çdo njësi administrative e Shqipërisë, si edhe zonat urbane brenda qyteteve më të mëdha, do të ketë praninë e saj besnike një të premte në muaj. Kjo prani është një vend neutral, ku hyhet pa kamera dhe pa teserë partie.
Nuk është mbledhje, por dëgjesë individuale për hallin, ankesën apo kërkesën e qytetarit. Ajo mban shënim, ua adreson zyrtarisht çështjet institucioneve përmes deputetit dhe sigurohet që qytetari të marrë përgjigje.
Nuk premton zgjidhje, por zotohet se asgjë nuk do të mbetet pa u adresuar dhe askush nuk do të mbetet pa marrë përgjigjen që i takon me ligj e me zakon. Prania Besnike të dëgjon dhe Besa të thotë: më kontrollo”, shkroi Rama.
Pas urdhrit të kryeministrit për zbatimin e kësaj nisme, ish-ministrja e Bujqësisë Anila Denaj njoftoi se do të takohej me qytetarët në një kafene në Bërzhitë.
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, caktoi si vendtakim një lokal në rrugën “Migjeni”, në Njësinë 11 të Tiranës.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu zgjodhi Sheshin Garibaldi në Kombinat, ndërsa ministri i Kulturës, Blendi Gonxhe, do të presë qytetarët e Mëzezit në një tjetër bar-kafe.
Ogerta Manastirliu, e propozuar për garën e ardhshme të zgjedhjeve lokale për Tiranën, ka zgjedhur Bibliotekën “Petro Zheji” në Njësinë 9, ndryshe nga kolegët që do t’i zhvillojnë takimet në kafene.
Erion Braçe pritet t’i nisë dëgjesat javën e ardhshme, pasi të konsultohet këtë të premte me grup-seksionet e PS-së në Njësinë 5.
Deri në momentin e publikimit të lajmit, ish-kryetarja e Kuvendit dhe ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, nuk kishte bërë ende të ditur vendin ku do të takohet me qytetarët si deputete e Tiranës.
Edhe Fatmir Xhafaj nuk kishte njoftuar ende se ku do ta aplikojë “Praninë Besnike”.
Banorët e Kavajës do të kenë mundësinë të dëgjohen nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili gjatë muajve të fundit i ka kushtuar vëmendje të veçantë këtij qyteti.
Edhe deputetët e 11 qarqeve të tjera, njësoj si kolegët e tyre në qarkun Tiranë, kanë publikuar vendtakimet e tyre, duke përfshirë kafene dhe qendra fshatrash, në kuadër të zbatimit të “Pranisë Besnike”.
