Shaip Kamberi, deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë, ka denoncuar presionin dhe diskriminimin që, sipas tij, po u bëhet pjesëtarëve shqiptarë të Policisë së Serbisë në Bujanoc dhe Preshevë.
Të lidhura
None found
Në një reagim të publikuar në Facebook, ai ka deklaruar se shqiptarët po përballen me diskriminim sistematik brenda këtij institucioni, ndërsa ka vënë në dukje se prej më shumë se një dekade nuk është rekrutuar asnjë shqiptar në polici.
Kamberi ka thënë se ndaj policëve shqiptarë nuk po ushtrohet presion vetëm nga pushteti në Beograd. Sipas tij, kohët e fundit, sulme ndaj tyre kanë ardhur edhe nga përfaqësues të caktuar të opozitës.
“Pra, ajo që po i bashkon pushtetin dhe një pjesë të opozitës në Beograd është një qasje e përbashkët: presioni dhe diskriminimi ndaj shqiptarëve”, ka shkruar ai.
Deputeti shqiptar ka kundërshtuar gjuhën e përdorur dhe akuzat e bëra ndaj pjesëtarëve shqiptarë të policisë, duke kujtuar se përfshirja e shqiptarëve në këtë institucion nisi në vitin 2001, pas një marrëveshjeje politike të ndërmjetësuar nga OSBE-ja.
Sipas tij, marrëveshja kishte për qëllim të siguronte përfaqësim të drejtë dhe mundësi të barabarta për shqiptarët në institucionet e sigurisë.
Megjithatë, Kamberi ka theksuar se përfaqësimi shqiptar në polici nuk është zgjeruar dhe konsoliduar, por ka pësuar rënie të vazhdueshme.
Ai u ka kërkuar institucioneve përgjegjëse në Serbi të shpjegojnë përse shqiptarët nuk po rekrutohen në polici prej më shumë se një dekade dhe përse numri i tyre në këtë institucion po zvogëlohet vazhdimisht.
“Sepse shqiptarët nuk do të pranojnë që përfaqësimi i tyre institucional të kthehet në objekt të pazareve politike të Beogradit”, ka deklaruar Kamberi.
Në përmbyllje të reagimit, ai ka pyetur nëse pushteti dhe një pjesë e opozitës në Beograd e konsiderojnë ende të madh numrin e vogël të policëve shqiptarë që kanë mbetur në Bujanoc dhe Preshevë.
